Na ndiqni edhe në

Shqip

Nga Tirana në Speising! Historia e mjekut shqiptar që sot bën mrekulli për fëmijët në Austri

Nga Tirana në Speising! Historia e mjekut shqiptar që sot bën

Në dhjetor të vitit 1990, një 25-vjeçar shqiptar nga Tirana, i martuar dhe me një djalë të vogël, mori një vendim që do t’i ndryshonte jetën: të nisej drejt Austrisë. Ilirjan Baci ishte ndër të parët që lanë Shqipërinë në prag të rrëzimit të regjimit komunist, me ëndrrën për të ndërtuar një jetë dhe karrierë më të mirë.

Me shumë guxim, Iliri filloi nga e para. Studioi, punoi dhe u kualifikua në mjekësinë austriake, derisa u bë pjesë e një prej spitaleve më të njohura të Europës: Spitalit Ortopedik Speising në Vjenë.

Sot, ai është një nga emrat më të respektuar në ortopedinë pediatrike, i specializuar në trajtimin e defekteve që shfaqen te foshnjat që në lindje. Nuk merret me thyerje apo trauma, por me korrigjimin e zhvillimit të kockave dhe nyjeve që, nëse nuk trajtohen në kohë, lënë pasoja për gjithë jetën.

Në spitalin ku punon, me mbi 800 punonjës dhe 12 salla operacioni, Dr. Baci trajton çdo ditë dhjetëra fëmijë nga gjithë Austria, por edhe nga vende të tjera. Edhe paciente shqiptarë nga Shqiperia e diaspora shpesh i kërkojnë ndihmë, dhe ai iu qëndron pranë me përkushtim. Sepse shqiptarët janë të parët në radhë për mua. I kam borxh Shqipërisë që nuk punova për të, por për shqiptarët kam punuar e do punoj.

Kolegët e quajnë “Mjeshter i allçisë". Por për vetë Ilirin, suksesi është thjesht pasojë e dashurisë për profesionin dhe të qenit njeri. “Punoj me shpirt”, thotë ai. “Sidomos kur bëhet fjalë për fëmijët. Sepse një diagnozë e saktë dhe një trajtim i hershëm mund të ulin një barrë të madhe për të ardhmen.”


Sot, Dr. Baci jo vetëm që punon në një nga spitalet më të mira të Europës, por përpiqet të krijojë ura bashkëpunimi me Shqipërinë. Ka organizuar trajnime falas për mjekë shqiptarë, ka kontribuar në rastet e vështira që vijnë nga Tirana, dhe ka një ëndërr të madhe: të sjellë një ekip nga Vjena për të operuar fëmijët shqiptarë në vendin tonë.

Në një kohë kur shumë ikin për të mos u kthyer më, ai është një dëshmi e gjallë se mërgimi nuk është fundi, por mund të jetë fillimi i një rruge që çon përsëri në Shqipëri – me më shumë dije, përvojë dhe dëshirë për të dhënë./ dritare.tv