Rama: Ndërtimet që shkelin lejen mbi 10% do të konfiskohen plotësisht nga shteti
Dritare.net

Kryeministri Edi Rama ka shpallur masa të reja në lidhje me ndërtimet dhe aktivitetet private pranë blloqeve rezidenciale, duke theksuar se çdo shkelje e lejes së ndërtimit do të ndëshkohet me konfiskim.
Sipas tij, persona privatë që duan të ushtrojnë aktivitete tregtare ose artizanale në zona të banuara duhet të pajisen me leje të posaçme, në mënyrë që të mos shqetësojnë komunitetin.
“Janë të panumërt shembujt e familjeve që blejnë apartamente dhe për fqinj kanë furra buke ose punishte zdrukthëtarie. Këto aktivitete mund të lejohen, por vetëm me leje dhe vetëm nëse nuk prishin qetësinë e banorëve,” u shpreh Rama.
Masa të reja për ndërtimet
Kryeministri njoftoi një rregull të qartë për shkeljet e lejeve të ndërtimit:
Shkelje nga 2% deri në 10% – konfiskohet vetëm pjesa e ndërtuar jashtë lejes dhe kalohet në shërbim të interesit publik ose si hapësira për zyra shtetërore.
Shkelje mbi 10% – konfiskohet e gjithë ndërtesa dhe i kalon shtetit.
Ai shtoi se për ndryshimin e destinacionit të një ndërtese pa leje përkatëse do të vendoset edhe detyrimi për rikthim në gjendjen e mëparshme, si dhe gjoba monetare.
Noterët, garant të blerjes së sigurt
Një tjetër risí është përfshirja e noterëve në procesin e regjistrimit të lejeve të ndërtimit pranë kadastrës. Sipas Ramës, kjo do të sigurojë transparencë dhe do të mbrojë qytetarët që blejnë apartamente, duke shmangur rastet kur ndërtuesit largohen dhe lënë pas banesa të paligjshme ose të paregjistruara.
Hapësira për fëmijët, detyrim në çdo ndërtim rezidencial
Rama theksoi gjithashtu se lejet e reja të ndërtimit për objektet rezidenciale duhet të përfshijnë hapësira të brendshme për fëmijët, jo thjesht ambiente të vogla me lodra, por hapësira të mirëfillta komunitare.
“Çdo ndërtim i ri duhet të ketë kushte për fëmijët. Nuk bëhet fjalë për një kënd të vogël lojërash, por për hapësira të përshtatura ku ata të rriten në siguri,” tha ai.
Konfiskimi për interes publik dhe strehim social
Sipas kryeministrit, rregullat e reja për konfiskimin synojnë jo vetëm të ndëshkojnë abuzimet në ndërtim, por edhe të përdorin hapësirat e konfiskuara për strehim social dhe interes publik.
“Çdo metër katror që ndërtohet jashtë lejes nuk do të shitet, por do të kthehet në hapësirë për shtetin dhe qytetarët,” deklaroi Rama./L.F-dritare.net