
Rama me ambasadorët: Objektivi historik i Shqipërisë është anëtarësimi në BE
Dritare.net
Në Tiranë nisi sot Konferenca 3-ditore e Ambasadorëve shqiptarë nëpër botë – Diplo 2025, me temë “Shqipëria 2030: në Europë, e ndërlidhur me botën”. Ky aktivitet konsiderohet një nga pikëtakimet më të rëndësishme të shërbimit të jashtëm për përcaktimin e prioriteteve, forcimin e shërbimeve konsullore dhe adresimin e sfidave në diplomacinë shqiptare.
Në fjalën e tij, Kryeministri Edi Rama theksoi se konferenca zhvillohet në një moment historik për Shqipërinë, teksa vendi ndodhet më pranë se kurrë më parë objektivit të anëtarësimit në Bashkimin Europian.
“Të gjitha forcat e shërbimit tonë diplomatik duhet të fokusohen në këtë objektiv historik, që përmbushet me suksesin e negociatave dhe ratifikimin e vendimit në 27 parlamentet e vendeve anëtare të BE-së”, u shpreh Rama.
Kreu i qeverisë theksoi gjithashtu rëndësinë e rritjes së diplomacisë ekonomike, fuqizimin e marrëdhënieve rajonale dhe shfrytëzimin e profilit të ri ndërkombëtar të Shqipërisë. Një tjetër moment i veçantë që ai përmendi ishte samiti i NATO-s që do të mbahet në Shqipëri në vitin 2027, i cilësuar si një sfidë dhe një mundësi historike për vendin.
Në konferencë morën pjesë ambasadorët shqiptarë në mbarë botën, zyrtarë të lartë të qeverisë dhe përfaqësues ndërkombëtarë, përfshirë ministrin e Jashtëm të Qipros, që mbajti një fjalë në cilësinë e përfaqësuesit të presidencës së radhës së BE-së.

















