
Prokuroria merr të pandehur ish-drejtorin e IT në Policinë e Shtetit: Kopjoi të dhënat
Dritare.net
Prokuroria e Tiranës ka mbyllur hetimet dhe ka marrë të pandehur ish-drejtorin e Teknologjisë së Informacionit në Policinë e Shtetit, Ervin Muça. Muça akuzohet për hyrje të paautorizuar në sistemet kompjuterike gjatë kohës së tij si drejtor IT në Policinë e Shtetit.
Aktualisht Muça ndodhet në masën arrest shtëpie, ndërsa hetimet ndaj tij nisën më 9 prill 2024 për veprën penale “Hyrje e paautorizuar kompjuterike”. Organi i akuzës ka zbardhur edhe rolin e Muçës në këto hetime, ku është arritur në përfundimin se drejtori i IT nuk ka informuar Drejtorin e Përgjithshëm të Policisë së Shtetit në lidhje me procedurat e backup të të dhënave të TIMS dhe as nuk ka hartuar një plan veprimi për problematikat e konstatuara dhe veprimet e ndërmarra për rregullimin e tyre.
Prokuroria e Tiranës thotë se të gjitha veprimet për kopjimin e të dhënave të TIMS, Ervin Muça i ka kryer gjatë orëve të natës, ndërsa ka urdhëruar edhe punonjësit për hapjen e portave USB. Po ashtu, në godinë janë futur persona të paautorizuar, që nuk kanë qenë pjesë e stafit të Policisë së Shtetitm dhe kanë asistuar për procesin e back up. Ky person- thotë organi i akuzës- ka përdorur shpeshherë për të hyrë dhe për të dalë nga godina pinin personal të një punonjësi që nuk ka qenë prezent.
Për më tepër, Prokuroria e Tiranës thotë se është vërtetuar se pajisja hard disk e sekuestruar ishte lidhur me kompjuterin e identifikuar dhe me serverat e sistemit, duke mundësuar eksportimin e të dhënave në një hard disk. Ky proces manual i backup-it nuk ishte i nevojshëm, pasi sistemi i Policisë së Shtetit ka mundësinë të realizojë dy kopje rezervë automatikisht. Gjurmët e procesit të backup-it janë evidentuar në pajisjen hard disk të sekuestruar, duke konfirmuar se hyrja në sistem ka qenë e paautorizuar.
Menjëherë ai u shkarkua nga detyra që mbante prej drejtorit të përgjithshëm të asaj kohe Muhamet Rrumbullaku. Ervin Muça ka mohuar të jetë i përfshirë në ndërhyrjen në sistemin TIMS, duke theksuar se është i pafajshëm, ndërsa ka deklaruar se nuk ka kopjuar asnjë të dhënë.
Organi hetues ka veçuar çështjen dhe po e heton edhe për veprën penale të shpërdorimit të detyrës. Për rrjedhjen e të dhënave të sistemit TIMS, Kuvendi ngriti edhe një komision hetimor parlamentare, në të cilin dëshmoi edhe vetë Muça./L.F-dritare.net

















