
Politika i jep lamtumirën Artur Zhejit, Gonxhja: Ikje e parakohshme, jeta është e ashpër!
Dritare.net
Homazhet për gazetarin dhe publicistin e njohur, Artur Zheji, mblodhën sot personalitete të politikës e artit, të cilët i dhanë lamtumirën e fundit.
Mes tyre ishte edhe ministri Blendi Gonxhja, i cili u shpreh se ikja e Zhejit ishte një humbje e parakohshme jo vetëm për median, por edhe për artin.
“E njoh Zhejin si gazetar dhe si publicist. Me siguri pas Zhejit që kemi parë në ekrane, ka qenë një Zhej akoma më artist, më krijues dhe do jepte shumë më tepër në vitet që do vinin. Fatkeqësisht, për komunitetin e artdashësve dhe për gazetarinë, jeta është shumë e ashpër në këto ngjarje kaq të papritura. Nuk dimë si ta ngushëllojmë familjen, botën që ai përfaqëson dhe që la pas. Ikje shumë e parakohshme”, tha Gonxhja.
Lexo edhe
Ndërkohë, deputeti socialist Arben Pëllumbi e cilësoi Zhejin një figurë të rëndësishme të gazetarisë dhe mendimit të lirë në Shqipëri.
“Ditë e trishtuar për ne, miqtë e Turit, por edhe për shtypin dhe median shqiptare. Përfaqësonte një figurë mjaft të rëndësishme në gazetari, televizion dhe në mendimin e lirë të këtij vendi”, u shpreh Pëllumbi./E.P-dritare.net

















