Na ndiqni edhe në

Ngjarjet e Ditës

PD kërkon hapjen e 43 kutive, KAS pranon vetëm 4 për verifikim në Vlorë

PD kërkon hapjen e 43 kutive, KAS pranon vetëm 4 për verifikim

Partia Demokratike ka kërkuar zyrtarisht hapjen e 43 kutive të votimit, duke pretenduar se procesi zgjedhor është manipuluar në disa qendra votimi. Kërkesa e demokratëve erdhi pas shqyrtimit të procesverbaleve, ku rezultoi se në 43 qendra, komisionerët kishin shënuar shifrën zero në kolonën që i përket fletëve të votimit të papërdorura, një praktikë që PD-ja e konsideron të dyshimtë dhe të qëllimshme.

Juristët e PD-së ngritën dyshime serioze mbi këtë element, duke theksuar se shënimi “zero” nuk përkon me realitetin në terren dhe përbën, sipas tyre, një provë të manipulimit të procesit zgjedhor.

Megjithatë, administrata e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve e ka hedhur poshtë këtë pretendim, duke e cilësuar situatën si një “gabim logjik” nga ana e komisionerëve dhe jo një përpjekje për të deformuar vullnetin e qytetarëve.

Pas shqyrtimit të pretendimeve, Komisioni i Ankimimeve dhe Sanksioneve (KAS) ka vendosur të mos pranojë kërkesën për hapjen e të gjitha 43 kutive, por të autorizojë verifikimin e katër kutive në qarkun e Vlorës. Ky proces pritet të nisë ditën e nesërme, më 4 qershor 2025.

PD-ja është shprehur se do të ndjekë me vëmendje procesin e verifikimit dhe do të vijojë betejën për transparencë dhe zbardhje të plotë të çdo parregullsie zgjedhore./K.C/dritare.net