
Elon Musk ka sulmuar ashpër projektligjin e ri për taksa dhe shpenzime të propozuar nga Donald Trump, duke e cilësuar atë si një "turp i neveritshëm" dhe "të mbushur me favore politike dhe borxhe të rrezikshme". Në postime në rrjetin X, miliarderi tha se ky ligj do ta rrisë deficitin buxhetor të SHBA në 2.5 trilionë dollarë dhe do t’i ngarkojë qytetarët me borxhe të papërballueshme.
Miliarderi shkruan:
“Ky projektligj i turpshëm, plot me favore dhe shpenzime të panevojshme, do të rrisë në mënyrë masive deficitin buxhetor tashmë gjigant në 2.5 trilionë dollarë (!!!) dhe do t’i rëndojë qytetarët amerikanë me borxhe të papërballueshme.”
Projektligji, i miratuar nga Dhoma e Përfaqësuesve në maj, parashikon ulje të mëdha taksash, rritje të ndjeshme të shpenzimeve për mbrojtjen dhe ngritjen e kufirit të borxhit në 4 trilionë dollarë. Ai është përballur me kundërshtime të forta edhe brenda vetë Partisë Republikane, me senatorin Rand Paul që paralajmëron se nuk do ta mbështesë nëse nuk ndryshon thelbësisht.
Musk, i cili deri më 31 maj drejtoi një ekip për eficiencën e qeverisë në administratën Trump, shprehu zhgënjim të thellë ndaj këtij projektligji, që sipas tij shkel parimet e kursimit dhe menaxhimit të mirë financiar. Megjithëse ishte një nga mbështetësit financiarë të fushatës së Trump në zgjedhjet e fundit, komentet e fundit tregojnë për një përçarje të re mes tyre.
Trump dhe republikanët synojnë që projektligji të kalojë përfundimisht deri më 4 korrik./K.C/dritare.net

















