Na ndiqni edhe në

Ngjarjet e Ditës

Kurban Bajrami, kreu i KMSH Bujar Spahiu thirrje për solidaritet dhe kujdes ndaj njëri-tjetrit

Kurban Bajrami, kreu i KMSH Bujar Spahiu thirrje për solidaritet dhe kujdes

Ditën e nesërme besimtarët myslimanë në mbarë botën festojnë Kurban Bajramin, një nga festat më të rëndësishme të besimit islam.

Kryetari i Komunitetit Mysliman të Shqipërisë, Bujar Spahiu, ka përcjellë një mesazh urimi për të gjithë besimtarët, duke theksuar rëndësinë e kësaj feste si një moment reflektimi, sakrifice dhe solidariteti.

“Kurban Bajrami është një ndër festat më të rëndësishme të besimit islam. Është festa e sakrificës, e bindjes ndaj Zotit, e solidaritetit dhe e dashurisë për njeriun,” u shpreh Spahiu, duke shtuar se kjo festë përfaqëson një thirrje për forcimin e moralit, përgjegjësisë dhe humanizmit në jetën e përditshme.

Ai theksoi gjithashtu nevojën për më shumë mirëkuptim, dialog dhe respekt mes njerëzve, duke nënvizuar se shoqëria ka nevojë për më shumë dashuri, drejtësi dhe shpresë.

“Kurbani nuk është vetëm një ritual fetar, por një akt solidariteti, ndarje dhe kujdesi për tjetrin,” deklaroi kreu i KMSH-së.

Spahiu vlerësoi edhe harmoninë ndërfetare në Shqipëri, duke e cilësuar atë një vlerë të çmuar që duhet ruajtur dhe forcuar.

Kurban Bajrami do të falet të mërkurën, më 27 maj, në Bulevardin “Dëshmorët e Kombit” në Tiranë./L.F-dritare.net