
Ministri i Jashtëm grek në Tiranë: Ju mbështesim për integrimin! Kujdes minoritetin
Dritare.net

Qysh në fillim nga mënyra e pritjes te përqafimet dhe shtrëngimet e herëpashershme të duarve, u duk se takimi mes ministrave të Jashtëm të Shqipërisë dhe Greqisë do të rrezatonte një atmosferë tepër miqësore, pas shumë muajve problematikë në marrëdhëniet dypalëshe.
Duke iu referuar zhvillimeve gjeopolitike globale të dhimbshme, kreu i diplomacisë greke, Gjerapteritis, ka theksuar se bashkëpunimi rajonal, veçanërisht mes vendeve fqinje, merr një rëndësi të jashtëzakonshme për forcimin e stabilitetit dhe mirëqenies në rajon dhe se hijet që kanë rënduar në marrëdhëniet mes Athinës e Tiranës duhet të zhduken dhe të mos përsëriten.
“Duhet të shohim nga e ardhmja me një këndvështrim pozitiv, mbi bazën e respektimit të së drejtës ndërkombëtare dhe në kërkim të marrëdhënieve miqësore dhe të fqinjësisë së mirë. Duke lënë pas nacionalizmat ballkanikë dhe faktorët që sjellin prapambetje dhe destabilizim.Është në interes të të dy popujve që të kultivojmë interesat e përbashkëta dhe të punojmë për të luftuar stereotipet”, u shpreh ministri i jashtëm i Greqisë, Georgios Gerapteritis.
Gerapetriti i është referuar respektimit të plotë dhe të detyrueshëm për mbrojtjen dhe garantimin e të drejtave të Pakicës Kombëtare Greke, që përbën një përparësi të madhe për Athinën.
“Pakica Kombëtare Greke është një nga hallkat më të forta në marrëdhëniet ndërmjet dy vendeve tona. Prej shekujsh përbën një urë komunikimi dhe mirëkuptimi mes dy popujve.E njëjta gjë mund të thuhet edhe për numrin e madh të shqiptarëve që jetojnë dhe punojnë në Greqi”, tha Gerapteritis.
Ministri i jashtëm grek ka bërë me dije edhe një fakt që pak ishte i njohur për origjinën e homologut të tij shqiptar.
“Kemi fatin e mirë që në Shqipërinë fqinje të shërbejë si Ministër për Evropën dhe Punët e Jashtme një njeri me aftësi të jashtëzakonshme dhe një njeri që flet gjuhën tonë: Gjuhën e arsyes evropiane. Por edhe gjuhën greke, për shkak të prejardhjes së tij greke, të cilën sot e nderon”, tha ai.
Nga ana e tij, ministri Hasani theksoi lidhjet historike mes dy vendeve dhe angazhimin e përbashkët për thellimin e marrëdhënieve strategjike.
“Sot me mikun tim, afirmuam angazhimin tonë të përbashkët për të forcuar marrëdhëniet dypalëshe në një frymë miqësie, partneriteti dhe respekti të ndërsjellë. Këto marrëdhënie bazohen në interesat tona strategjike, në partneritetin tonë në NATO dhe synimin e përbashkët për një Evropë më të bashkuar“, tha Hasani.
Gjithashtu. kryediplomati shqiptar ka shtuar se ky është një moment i përshtatshëm për zgjidhjen e një sërë çështjesh të pazgjidhura të trashëguara nga e kaluara.
“Sa i përket çështjeve të hapura, ndamë bindjen se ky është momenti i duhur për t’i trajtuar me qasje të pjekur dhe konstruktive. Është në interesin e përbashkët të të dy vendeve që këto çështje që burojnë nga e kaluara historike apo sfida të së tashmes, të adresohen në mënyrë të përgjegjshme përmes dialogut të hapur, mekanizmave të dakordësuar dhe në respekt të së drejtës ndërkombëtare“, u shpreh Hasani.
Ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme të Igli Hasani më pas është pritur edhe nga presidenti i Greqisë, një pritje që nuk bëhet për gjithë ministrat e Jashtëm që vizitojnë Greqinë./K.C/dritare.net

















