
Trump pezullon vizat për studentët e huaj në Harvard. Universiteti reagon ashpër
Dritare.net
Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, ka firmosur një urdhër presidencial përmes të cilit pezullon për një periudhë fillestare prej gjashtë muajsh hyrjen në SHBA të studentëve të huaj që synojnë të studiojnë ose të marrin pjesë në programe shkëmbimi akademik në Universitetin e Harvardit.
Shpallja zyrtare, e bërë publike të mërkurën, përmend shqetësime të lidhura me sigurinë kombëtare, duke e cilësuar praninë e studentëve të huaj në këtë institucion si të “dëmshme për interesat e Shteteve të Bashkuara”.
Ky vendim vjen në kulmin e një përplasjeje të vazhdueshme mes administratës Trump dhe Universitetit të Harvardit, e cila ka marrë përmasa ligjore dhe politike, sidomos pas refuzimit të universitetit për të zbatuar një sërë kërkesash nga Shtëpia e Bardhë në muajin prill.
Menjëherë pas shpalljes së vendimit, Universiteti i Harvardit ka reaguar me tone të ashpra. Në një deklaratë për mediat, përfaqësues të universitetit e kanë quajtur urdhrin presidencial si një akt “hakmarrës” që dëmton jo vetëm studentët ndërkombëtarë, por edhe vetë reputacionin akademik dhe ndërkombëtar të SHBA-ve.
Sipas agjencisë së lajmeve Reuters, Harvard ka theksuar se do të vazhdojë të mbrojë studentët e vet ndërkombëtarë, të cilët përbëjnë një pjesë të rëndësishme të komunitetit akademik dhe shkencor të institucionit.
Vendimi i presidentit Trump është parë si një lëvizje e paprecedentë dhe potencialisht e rrezikshme për rolin që universitetet amerikane luajnë në skenën globale të arsimit të lartë. Harvard, një nga institucionet më prestigjioze në botë, tërheq mijëra studentë të huaj çdo vit, të cilët kontribuojnë jo vetëm në zhvillimin akademik por edhe ekonomik të vendit./K.C/dritare.net

















