
Zbulim shqetësues/ Substanca kancerogjene te tamponët e përdorur nga gratë
Dritare.net
Tamponët mund të paraqesin rrezik serioz për shëndetin e grave, sipas rezultateve të fundit shkencore, pasi përmbajnë substanca toksike në nivele shumë më të larta se kufiri i lejuar. Më konkretisht, studiues britanikë zbuluan nivele pesticidesh toksike në tamponë që ishin 40 herë më të larta se limiti ligjor për ujin e pijshëm.
Raporti i organizatës Pesticide Action Network UK (Pan UK), në bashkëpunim me Women’s Environmental Network dhe Pesticide Collaboration, thekson praninë e niveleve shumë të larta të glifosatit, një pesticid i lidhur me kancerin, në produktet e higjienës menstruale. Kjo është shqetësuese, sipas autorëve të studimit, pasi substancat kimike që përthithen përmes vaginës kalojnë drejtpërdrejt në qarkullimin e gjakut, duke anashkaluar sistemet e detoksifikimit të trupit. Kjo do të thotë se edhe gjurmët më të vogla të kimikateve që vijnë në kontakt të drejtpërdrejtë me vaginën mund të përbëjnë rrezik për shëndetin.
Për këtë studim, studiuesit analizuan 15 pako tamponësh nga dyqane të ndryshme në Mbretërinë e Bashkuar, që përfshinin marka të njohura dhe të përdorura gjerësisht. Në një prej tyre, u zbulua glifosat në përqendrim 0.004 mg/kg, ndërkohë që limiti maksimal për mbetjet në ujin e pijshëm në Mbretërinë e Bashkuar dhe Bashkimin Evropian është 0.0001 mg/kg, pra, 40 herë mbi normën e lejuar.
Glifosati është herbicidi më i përdorur në botë. Megjithatë, një studim i Agjencisë Ndërkombëtare për Kërkime mbi Kancerin (IARC) të Organizatës Botërore të Shëndetësisë e ka klasifikuar atë si "potencialisht kancerogjen për njerëzit". Ai është gjithashtu i lidhur me zhvillimin e sëmundjes së Parkinsonit, dhe kërkime të reja ngrenë shqetësime për lidhjen e tij me sëmundje të tjera serioze.
Si përfundon glifosati në tamponë?
Sipas ekspertëve, kjo lidhet me fazat fillestare të prodhimit. Herbicidet përdoren në kultivimin e pambukut, një nga përbërësit kryesorë të tamponëve. Studiuesit zbuluan praninë e acidit aminometilfosfonik në tamponë, një nënprodukt i shpërbërjes së glifosatit. Pambuku është një nga kulturat më të varura nga kimikatet në botë dhe deri në 300 pesticide mund të përdoren në prodhimin e tij global.
Dr. Amy Heley, nga Pesticide Collaboration, deklaroi:
“Nëse një nivel i tillë i glifosatit konsiderohet i pasigurt për ujin që pimë, pse lejohet të ekzistojë në produktet tona menstruale? Studimi ynë tregon se gratë dhe vajzat mund të mos jenë të mbrojtura nga ekspozimi ndaj kimikateve të dëmshme. Megjithatë, shumica e njerëzve nuk kanë asnjë ide që kjo është një problematikë serioze.”
Josie Cohen, drejtoreshë e përkohshme e Pan UK, nga ana e saj tha:
“Na tronditi vërtet fakti që gjetëm glifosat në tamponë të shitur në raftet e dyqaneve në Mbretërinë e Bashkuar. Kjo substancë e rrezikshme kimike është tashmë e pamundur të shmanget, pasi spërkatet nga bashkitë në rrugë dhe parqe, ndërsa ndot një pjesë të madhe të ushqimeve dhe ujit tonë për shkak të përdorimit të tepruar në bujqësi. Duhet urgjentisht të ulim ngarkesën e përgjithshme toksike dhe të mos na duhet të shqetësohemi për praninë e glifosatit dhe pesticideve të tjera shumë të rrezikshme në produktet menstruale.”/K.C/dritare.net

















