Pas akuzave për abuzim seksual, drejtuesja shqiptare në bankën amerikane JP Morgan padit për shpifje ish-bankierin!
Dritare.net

Drejtoresha ekzekutive e bankws JPMorgan Chase, shqiptarja Lorna Hajdini, ka ngritur padi për shpifje në Gjykatën Supreme të Nju Jorkut ndaj ish-bankierit Chirayu Rana, duke e akuzuar se ka sajuar pretendime të rënda për ta dëmtuar personalisht dhe profesionalisht.
Sipas padisë, Rana ka pretenduar se Hajdini e kishte droguar dhe detyruar në marrëdhënie seksuale jo konsensuale, duke hedhur edhe akuza për “skllavëri seksuale”. Në dokumentet gjyqësore, drejtuesja shqiptare i mohon kategorikisht të gjitha akuzat dhe thotë se ato janë tërësisht të rreme.
Ajo pretendon se ish-bankieri ka zhvilluar për disa muaj një fushatë me akuza të pavërteta, me qëllim dëmtimin e reputacionit të saj dhe përfitimin e milionave dollarëve përmes presionit ligjor dhe publik. Në padi thuhet se pretendimet e Ranës i kanë shkaktuar Hajdinit dëme serioze personale dhe profesionale, ndërsa çështja ka marrë vëmendje të madhe edhe brenda bankës amerikane.
Edhe JPMorgan ka dalë publikisht në mbështetje të drejtueses shqiptare. Banka ka deklaruar se nuk beson në pretendimet e ngritura ndaj Hajdinit dhe se hetimet e brendshme nuk kanë gjetur asnjë provë që mbështet akuzat e ish-bankierit.
Nga ana tjetër, Rana kishte ngritur më herët një padi ndaj Hajdinit duke përdorur pseudonimin “John Doe”. Në atë padi, ai e akuzonte drejtuesen për abuzim seksual, kërcënime dhe sjellje raciste. Ai pretendonte gjithashtu se ishte kërcënuar me ulje bonusi nëse nuk pranonte marrëdhënie seksuale me të.
Sipas dokumenteve të publikuara nga media amerikane, banka kishte nisur një proces të brendshëm verifikimi për pretendimet, por Rana nuk kishte marrë pjesë plotësisht në hetim. Tani çështja pritet të vazhdojë në gjykatat e Nju Jorkut, ndërsa të dyja palët akuzojnë njëra-tjetrën për dëmtim të qëllimshëm të reputacionit dhe tentativa për përfitim financiar.