
Nis shpërndarja e bonusit të pranverës, ja deri kur kanë afat pensionistët për ta tërhequr!
Dritare.net
Këtë të hënë nisi shpërndarja e bonusit të pranverës për më shumë se 730 mijë pensionistë që jetojnë brenda apo edhe jashtë Shqipërisë. Ministri i Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit, Blendi Gonxhja, njoftoi se në ditën e parë 22.718 pensionistë e tërhoqën atë, ndërkohë që shpërndarja do të vijojë deri në fund të muajit.
Për ata që nuk munden ta tërheqin për arsye nga më të ndryshmet, shpërblimi është i vlefshëm për një periudhë gjashtëmujore, pra deri në 30 shtator.
Sipas ministrit, bonusi ndahet në dy kategori: 10.000 lekë për pensionet bazë deri në 20.000 lekë dhe 5.000 lekë për pensionet mbi 20.000 lekë. Shpërndarja e bonusit të pranverës bashkë me vlerën mujore të pensionit nisi dje për 730.430 pensionistë, brenda a jashtë vendit, pranë çdo pike të Postës Shqiptare dhe bankave të nivelit të dytë.
Qeveria ka vendosur që bonuset të jenë të përhershme dhe të diferencuara. Pra, çdo vit pensionistët në vend do të marrin dy shpërblime: një në fundvit dhe tjetrin në pranverë, të diferencuara në varësi të pagesës së tyre mujore.
Aktualisht, Ministria dhe Financave, Instituti i Sigurimeve Shoqërore dhe Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare, me mbështetje edhe nga ndërkombëtarët, kanë nisur punën për të reformuar skemën e pensioneve, me synimin që të rritet vlera e pensionit mujor.
Të gjithë pensionistët nga dje e në vijim do të marrin minimalisht 50 shpërblim së paku e maksimalisht 10 mijë lekë. Do të jetë vlera e pensionit mujor me të cilin ata trajtohen, që do të bëjë diferencën e bonusit. Ata që marrin më pak, nën kufirin 20 mijë lekë do shpërblehen me bonus maksimal/E.P-dritare.net

















