Na ndiqni edhe në

Ngjarjet e Ditës

Nga bari në Kalivaç te zëri legjendar i Radio Tiranës, jeta e Xhelil Aliut

Nga bari në Kalivaç te zëri legjendar i Radio Tiranës,

I ftuar në podcastin e Dritare TV me gazetarin Mikèle Kallanxhiu, regjisori dhe folësi i njohur i Radio Tirana, Xhelil Aliu, flet për jetën e tij, nga ditët si bari në Tepelenë deri në kthimin në një nga zërat më të dashur të radios shqiptare.

I lindur në vitin 1946 në Kalivaç të Tepelenës, Aliu kujton një fëmijëri të vështirë mes natyrës së ashpër të jugut, ku mungesa e shkollës shtatëvjeçare e detyroi të ndërpriste mësimet dhe të ruante bagëtitë.

“U bëra një bari jashtëzakonisht i mirë”, tregoi ai me humor, ndërsa kujtonte vitet mes dhive dhe maleve të egra të vendlindjes.

Por dëshira për arsim nuk u shua kurrë. Pas sakrificave të shumta, ai arriti të vazhdonte shkollën shtatëvjeçare në Krahës e më pas të fitonte të drejtën për të studiuar në Teknikumin e Minierave dhe Gjeologjisë në Përrenjas.

Pas diplomimit, jeta e çoi në minierat e kromit në Batër dhe Thekën e Martaneshit, ku përjetoi nga afër vështirësitë dhe rrezikun e punës nën tokë.

Ai rrëfeu me emocion sakrificat e minatorëve, të cilët punonin në galeri me një copë bukë të thatë në sqetull, vetëm për të kursyer kohë dhe për të nxjerrë bukën e gojës.

Madje, ai tregoi edhe një moment dramatik, kur i rrëshqiti këmba pranë një tuneli ajrimi mbi 40 metra të thellë, duke shpëtuar për mrekulli.

Megjithatë, jeta kishte rezervuar një tjetër rrugë për të. Djali nga Kalivaçi, që dikur ëndërronte larg Radio Tiranën, do të bëhej më vonë një nga zërat më karakteristikë dhe më të dashur të saj, duke punuar mes emrave të mëdhenj të artit dhe medias shqiptare.

“Absolutisht nuk e kisha menduar kurrë”, u shpreh ai, duke kujtuar me modesti rrugëtimin e jashtëzakonshëm nga malet e Tepelenës drejt mikrofonit që do ta bënte të njohur në gjithë Shqipërinë./L.F-dritare.net