
Ndahet nga jeta Giorgio Armani, gjeniu i modës italiane
Dritare.net
Stilisti i famshëm Giorgio Armani është ndarë nga jeta në moshën 91-vjeçare, ka njoftuar sot Grupi Armani përmes një komunikate zyrtare.
“Me dhimbje të pafundme, grupi Armani njofton ndarjen nga jeta të themeluesit të tij të palodhur: Giorgio Armani. Zoti Armani, siç është quajtur gjithmonë me respekt dhe admirim nga punonjësit dhe bashkëpunëtorët, u shua i qetë, i rrethuar nga të afërmit e tij. Ai punoi pa u lodhur deri në ditët e fundit, duke iu përkushtuar kompanisë, koleksioneve dhe projekteve të shumta në zhvillim,” thuhet në deklaratën e firmosur nga familja dhe punonjësit.
Një vizionar që la gjurmë në botën e modës
Armani, i njohur si një nga ikonat më të mëdha të modës në botë, krijoi një vizion që tejkaloi veshjen, duke ndikuar në çdo aspekt të stilit të jetës. Ai u dallua për thjeshtësinë elegante, pavarësinë në mendim e veprim dhe një kuriozitet të pashtershëm që i mundësoi të ishte gjithmonë një hap përpara kohës së tij.
“Giorgio Armani ka qenë gjithmonë i vëmendshëm ndaj shoqërisë, veçanërisht ndaj qytetit të tij të dashur, Milanos,” vijon komunikata e grupit.
Trashëgimia e një perandorie
Grupi Armani, me një histori 50-vjeçare, mbetet sot një simbol i vizionit, pasionit dhe përkushtimit të themeluesit të tij. Punonjësit dhe familja kanë premtuar të ruajnë vlerat dhe shpirtin që Armani përcolli gjatë gjithë jetës së tij./l.F-dritare.net

















