Ministri Vengu: Mbi 100 efektivë në terren pas motit të keq në Lezhë, Durrës dhe Gjirokastër
Dritare.net

Mbi 100 efektivë të Forcave të Armatosura janë angazhuar në disa qarqe të vendit pas situatës së krijuar nga moti i keq, bëri të ditur ministri i Mbrojtjes, Pirro Vengu.

Përmes një postimi në rrjetet sociale, Vengu theksoi se deri në orët e vona të mbrëmjes së kaluar, forcat e Repartit të Gërhotit kanë qenë në terren në Gjirokastër, duke u përballur me prurjet e vrullshme të reshjeve.

Ai shprehu mirënjohjen për efektivët e angazhuar, duke nënvizuar se dhjetëra mjete dhe pompa me kapacitet të lartë janë vënë në dispozicion në Lezhë, Durrës dhe Gjirokastër, si edhe në zona të tjera ku ka pasur nevojë për ndërhyrje.

Sipas ministrit, strukturat përgjegjëse vijojnë të jenë në gatishmëri të plotë, ndërsa përgatiten për një tjetër ditë pune në vijën e parë, me synim garantimin e sigurisë së banorëve dhe përballimin e çdo situate të mundshme të shkaktuar nga kushtet e pafavorshme atmosferike./L.F-dritare.net