SHBA sekuestron cisternën me flamur rus në Atlantik, reagon Rusia
Dritare.net

Shtetet e Bashkuara kanë sekuestruar një anije cisternë me flamur rus në Atlantikun e Veriut, e dyshuar për shkelje të sanksioneve ndërkombëtare dhe e lidhur më herët me transportin e naftës venezueliane. Autoritetet amerikane njoftuan gjithashtu se kanë ndaluar një cisternë të dytë në Karaibe, në një operacion të dyfishtë kundër asaj që e quajnë “flota fantazmë”.
Operacioni për sekuestrimin e cisternës në Atlantik, e njohur si Marinera, u mbështet nga ushtria britanike me mbikëqyrje ajrore dhe një anije luftarake, bëri të ditur Ministria britanike e Mbrojtjes.
Zëdhënësja e Shtëpisë së Bardhë, Karoline Leavitt, tha se ekuipazhi i anijes do të dërgohet në SHBA për ndjekje penale “nëse është e nevojshme”. Më herët, Ministria e Jashtme e Rusisë kishte paralajmëruar se SHBA nuk duhet të pengojë kthimin e ekuipazhit.
Sipas Leavitt, anija, që autoritetet amerikane e quajnë Bella 1, u konsiderua “pa shtetësi” pasi po lundronte me një flamur të rremë. Moska kundërshton këtë pretendim, duke thënë se cisterna ishte e regjistruar vetëm përkohësisht me flamur rus dhe se “asnjë shtet nuk ka të drejtë të përdorë forcë kundër anijeve të regjistruara siç duhet në juridiksione të tjera”.
Anija akuzohet për shkelje të sanksioneve amerikane dhe për transport të naftës iraniane. Historikisht, ajo ka transportuar naftë bruto venezueliane, megjithëse raportet e fundit thonë se aktualisht është bosh./K.C/dritare.net