
Kryeministri Edi Rama zhvilloi dje një takim në Paris me sipërmarrësin Jared Kushner, dhëndri i presidentit amerikan Donald Trump.
Takimi u zhvillua gjatë punimeve të Samitit të Koalicionit të Vullnetmirëve për Ukrainën, një koalicion prej 35 vendesh, të cilat kanë premtuar mbështetje të përforcuar për Ukrainën kundër agresionit rus.
Kujtojmë se “Atlantic Incubator Partners LLC”, kompania e madhe ndërkombëtare në fushën e turizmit me sipërmarrës Jared Kushner ka paraqitur pranë Agjencisë Shqiptare të Zhvillimit të Investimeve (AIDA) në 27 dhjetor 2023, një projekt për të investuar në ishullin e Sazanit.
Në 30 dhjetor 2024 kompania e Jared Kushner mori statusin e investitorit strategjik për ndërtimin e një resorti luksoz në Ishullin e Sazanit, nga Komiteti i Investimeve Strategjike nën drejtimin e kryeministrit Edi Rama.
Sipas vendimit të KIS, në ishull parashikohet një investim prej 1.4 miliardë eurosh dhe ndërtimi parashikohet të shtrihet në 8% të ishullit, ose 45 hektarë.
Projekti, një investim strategjik, parashikon ndërtimin e vilave ekskluzive në ishullin e Sazanit, që i dedikohen turizmit elitar.
Sazani shtrihet midis detit Adriatik dhe detit Jon, i pozicionuar strategjikisht në hyrje të Gjirit të Vlorës, në ngushticën e Otrantos që ndan Italinë nga Shqipëria.