U tha se do të bëhej kryeministre. Lea Ypi: Mirupafshim, Shqipëri!
Dritare.net
Lea Ypi ka qenë emri më i përfolur i javës që shkoi, si kryeministre e qeverisë teknike në Shqipëri. Adriatik Lapaj nxori Tritan Kalo dhe Përparim Kabo si emra të mundshëm, ndërsa Ypi doli nga media. Shkrimtarja shqiptare me famë ndërkombëtare foli për këtë në një intervistë të gjatë në Dritare TV dhe shumicën e mediave në Shqipëri.
Ndërsa publiku online reagoi në mënyrën e vet, komentet negative duket se e kanë lënduar dhe në një mirupafshim të gjatë, Ypi iu kthehet, ndërsa falënderon kë e ka mirëpritur.
Ja mesazhi i saj i plotë:
"Mirupafshim Shqipëri.
Llaçin e shpifjeve dhe pluhurin e konspiracioneve biografike, ideologjike, gjeopolitike, sociale, materiale e sa e sa të tjera më kanë dëgjuar veshët e parë sytë për veten këto ditë, ti kam lënë në derë. Në fund të fundit hiçi dixhital e mediatik mbi diçka duhet ngritur që atij grushti logosh ku tek asgjëja çlirohet vetmia, trishtimi, mllefi, dështimi, varfëria e mendimit, shfrytëzimi, paburrëria, ti mbushet mendja se mbase diçka është.
Por emocionet e takimeve të këtyre ditëve me qindra njerëz të vërtetë, lexues të gjithfarë brezave, bindjesh politike, përvojash historike, me aq shumë pyetje, vërejtje, komente, kritika, fjalë nxitëse, të rinj e të reja me guxim për tu parë në sy e për tu përballur pa u fshehur në lloj lloj pseudonimesh e maska karnavalesh, shkëmbimet tona rreth fateve të botës e të këtij katundit tonë, skutave të historisë, dritës që hedh arti në kërkim të së vërtetës - të gjitha këto i mbaj me vete.
Kam përshtypjen se bota sot i ngjan labirintit të minotaurit ku gjithkush kërkon shpëtim nga përbindëshat e dukshëm e të padukshëm. Ndoshta secili nga ne e mban në dorë një pjesë nga filli i Ariadnes, mjafton që duart të bashkohen dhe njerëzit të rigjejnë kuptimin e të qenit njeri.
Faleminderit të gjithë atyre që në këtë skutën shqiptare të labirintit shtrënguan dorën time.", shkruan Lea Ypi./dritare.net