Na ndiqni edhe në

Ngjarjet e Ditës

Përmbytjet nga moti i keq/ Si është situata në hidrovoret e Durrësit. Flet ministrja e Brendshme

Përmbytjet nga moti i keq/ Si është situata në hidrovoret e

Durrësi po përballet me një situatë të rëndë përmbytjesh si pasojë e reshjeve të dendura të shiut gjatë orëve të fundit. Zonat më problematike mbeten ato me kuotë të ulët, ndërsa autoritetet qendrore dhe vendore kanë intensifikuar ndërhyrjet për të mbajtur situatën nën kontroll.

Në këtë kuadër, ministrja e Punëve të Brendshme, Albana Koçiu, së bashku me kryetaren e Bashkisë së Durrësit, Emiriana Sako, inspektuan nga afër funksionimin e hidrovorit të ri në Porto Romano, një nga pikat kyçe për menaxhimin e ujërave në qytet.

Ministrja Koçiu deklaroi se të dy hidrovoret e Bashkisë Durrës, si ai i ri ashtu edhe ai i vjetër, janë në gjendje të plotë pune dhe po funksionojnë pa ndërprerje për të përballuar situatën e krijuar nga reshjet intensive.

“Dy hidrovoret, si ai i riu ashtu edhe ai i vjetri, janë funksionalë dhe po punojnë për ta bërë më të lehtë përballimin dhe menaxhimin e situatës. Reshjet e dendura të 24 orëve të fundit kanë sjellë një situatë shqetësuese në qytetin e Durrësit, ndaj të gjitha institucionet janë në gatishmëri të plotë. Orët në vijim, veçanërisht 12 orët e ardhshme, mbeten kritike për situatën,” u shpreh Koçiu.

Ajo shtoi se paralelisht ka nisur procesi i vlerësimit të dëmeve materiale, veçanërisht në zonën e ish-Kënetës, duke theksuar se ky proces do të vijojë edhe në ditët në vijim për banesat dhe infrastrukturën e prekur.

“Është shumë e rëndësishme që qytetarët të tregojnë kujdes, të shmangin lëvizjet e panevojshme dhe të ndjekin këshillat e autoriteteve lokale gjatë këtyre orëve kritike,” apeloi ministrja.

Nga ana e saj, kryetarja e Bashkisë së Durrësit, Emiriana Sako, vuri në dukje rolin vendimtar të hidrovorit të ri, të ndërtuar me fondet e qeverisë shqiptare, për përballimin e emergjencës aktuale.

“Ky është një objekt i ri, i ndërtuar pikërisht për t’i ardhur në ndihmë qytetit në situata emergjente si përmbytjet. Reshjet e shiut kësaj here kanë qenë shumë të larta dhe pa funksionimin e këtij hidrovorit, situata do të ishte shumë më e agravuar.” u shpreh kryetarja e Bashkisë./K.C/dritare.net