Na ndiqni edhe në

Ngjarjet e Ditës

Tani kanë mësuar shqip! Banorët në Manzë tregojnë muxhahedinët fqinj

Tani kanë mësuar shqip! Banorët në Manzë tregojnë

Gazetarja e DritareTV, Eda Preka, ishte në Manzë, pranë kampit të muxhahedinëve (MEK), ku zhvilloi intervista me banorët e zonës lidhur me shqetësimet e krijuara pas sulmeve të SHBA-së dhe Izraelit ndaj Iranit.

Banorët shprehën mendimet e tyre për zhvillimet ndërkombëtare dhe për diskutimet që kanë qarkulluar se Shqipëria mund të përfshihet në tensione rajonale. Sipas tyre, edhe pse konflikti duket i largët, prania e kampit ku strehohen mbi 3,200 persona, të konsideruar si opozitarë iranianë, i bën ata të ndiejnë njëfarë pasigurie.

“Frikë kemi, sepse nuk dimë si do të përfundojë kjo situatë. Jo vetëm unë, por të gjithë e ndiejmë tensionin,” u shpreh një banor i zonës.

Megjithatë, shumica e banorëve theksuan se ndihen relativisht të sigurt, duke përmendur faktin se Shqipëria është pjesë e NATO-s dhe ka mbështetjen e partnerëve ndërkombëtarë. Ata shtuan se nuk kanë marrëdhënie të drejtpërdrejta me anëtarët e kampit, por bashkëjetesa ka qenë e qetë dhe respektuese.

“Marrëdhëniet janë të mira. Nuk kemi pasur asnjë problem me njerëzit që ndodhen aty,” tha një tjetër banor.

Banorët përmendën gjithashtu se në raste të veçanta, si gjatë muajit të Ramazanit, kampi ka dhënë ndihma simbolike për komunitetin lokal.

“Ndonjëherë na sjellin oriz, sheqer apo makarona. Përveç kësaj, ata kujdesen për festat e tyre dhe ne respektojmë njëri-tjetrin,” tha një grua nga zona.

Disa prej banorëve, me përvojë edhe në ushtri, theksuan rëndësinë e mbështetjes ndërkombëtare për sigurinë e vendit.

“Jemi të qetë sepse NATO dhe SHBA-ja janë pas nesh. Edhe Bashkimi Evropian ka kapacitete të fuqishme për mbrojtjen e territorit,” u shpreh një banor.

Nga intervistat rezulton se banorët janë të informuar për situatën në Lindjen e Mesme, por besojnë se Shqipëria nuk është një objektiv i drejtpërdrejtë i ndonjë sulmi.

“Shqipëria është një vend i vogël, por i mbrojtur. Nuk ka arsye të frikësohemi për një sulm direkt,” tha një tjetër banor.

Sipas raportimit të gazetares, banorët e Manzës shprehen se marrëdhëniet me komunitetin e muxhahedinëve mbeten të qeta edhe në jetën e përditshme.

“Ata flasin shqip kur dalin jashtë dhe marrëdhënia me ne është normale. Nuk kemi pasur asnjë problem,” përfundoi një banor./L.F-dritare.net