Kosova ofroi leje të përkohshme qëndrimi për serbët pa dokumente, reagon Rama
Dritare.net

Qeveria e Kosovës ka vendosur t’u ofrojë leje të përkohshme qëndrimi dhe të njohë letërnjoftimet e pjesëtarëve të komunitetit serb që nuk janë të pajisur me dokumente kosovare. Vendimi u njoftua nga kryeministri Albin Kurti pas një takimi në Prishtina me të dërguarin e posaçëm të Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë–Serbi, Peter Sorensen.
Ky vendim vjen në prag të hyrjes në fuqi të Ligjit për të Huajt dhe Ligjit për Automjetet, të cilat nga 15 marsi kërkojnë që personat pa dokumente kosovare të pajisen me leje qëndrimi, ndërsa automjetet me targa të huaja nuk do të mund të qarkullojnë më shumë se tre muaj pa autorizim.
Pas këtij zhvillimi reagoi edhe kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, i cili në rrjetin social X përshëndeti koordinimin mes Kosovës dhe Bashkimit Evropian.
“Ne mirëpresim koordinimin midis Kosovës dhe BE-së mbi Ligjin për të Huajt. Shkatërrimi i strukturave paralele është punë e vështirë. Bashkimi Evropian duhet të tregojë të njëjtin guxim, të heqë masat ndëshkuese dhe të ecë përpara me aplikimin e Kosovës për anëtarësim. Një Ballkan Perëndimor plotësisht brenda BE-së nuk është bamirësi. Është fitorja strategjike e vetë Evropës”, shkruan Rama në X.
Në konferencën për media, Kurti theksoi se qeveria do të vazhdojë përpjekjet për integrimin e plotë të sistemeve arsimore dhe shëndetësore serbe në sistemin institucional të Kosovës./L.F-dritare.net