Na ndiqni edhe në

Ngjarjet e Ditës

Ministri Guido Crosetto: Shqipëria do të hyjë në industrinë europiane të mbrojtjes

Ministri Guido Crosetto: Shqipëria do të hyjë në

Ministri italian i Mbrojtjes, Guido Crosetto, ka folur për herë të parë edhe për mundësinë e bashkëpunimit mes Italisë dhe Shqipërisë në riaktivizimin e industrisë ushtarake shqiptare dhe ish-fabrikave të mbrojtjes.

Në një intervistë për gazetaren Rudina Xhunga në Romë, Crosetto deklaroi se Italia po studion një bashkëpunim të gjerë me Shqipërinë në sektorin e mbrojtjes, duke vlerësuar potencialin industrial që vendi ka trashëguar ndër vite.

I pyetur nëse ka plane konkrete për rikuperimin apo riaktivizimin e ish-fabrikave ushtarake shqiptare, ministri italian u përgjigj:

“Po studiojmë gjithçka. Kemi një bashkëpunim 360 gradë. Ka disa prodhime ku Shqipëria mund të ndihmojë si Italinë ashtu edhe Europën.”

View this post on Instagram

A post shared by Dritare Tv (@dritare_tv)

Crosetto veçoi traditën shqiptare në prodhimin e municioneve, duke e konsideruar atë një aset strategjik në kushtet aktuale të sigurisë europiane.

“Ju keni një traditë të gjatë, për shembull, në prodhimin e municioneve, që është një nga mungesat më të mëdha sot në Europë”, deklaroi ai.

Sipas ministrit italian, nevojat e reja të mbrojtjes europiane dhe programet e përbashkëta të BE-së mund të hapin rrugën për investime dhe partneritete të reja industriale mes dy vendeve.

“Prandaj mendoj se edhe brenda disa programeve europiane dhe nevojave italiane mund të zhvillohet një bashkëpunim edhe më i madh”, tha Crosetto.

Deklaratat e ministrit italian vijnë në një moment kur Italia dhe Shqipëria po intensifikojnë bashkëpunimin strategjik në mbrojtje, pas marrëveshjes mes Fincantieri dhe kompanisë shqiptare KAYO për modernizimin e kantierit detar të Pashalimanit dhe ndërtimin e anijeve ushtarake në Shqipëri./L.F-dritare.net