Shkenca: Shumë nga dëmet e alkoolit në trup mund të rikuperohen
Dritare.net

Shkencëtarët thonë se një pjesë e dëmeve që alkooli i shkakton trupit mund të ndalen, të përmirësohen apo edhe të rikthehen, nëse ndërpritet konsumi në kohë.
Sipas një artikulli të CNN, ekspertët theksojnë se alkooli është një substancë toksike që përdoret edhe si dezinfektues dhe lidhet me rritjen e rrezikut për kancer, sëmundje të zemrës dhe shumë sëmundje të tjera kronike. Sipas tyre, sot gjithnjë e më shumë studime tregojnë se nuk ka një nivel të sigurt të konsumit të alkoolit.
Të dhënat më të fundit tregojnë se alkooli lidhet drejtpërdrejt me 62 çrregullime të ndryshme, përfshirë sëmundje të mëlçisë si cirroza dhe mëlçia e dhjamosur, pankreatitin, gastritin, ulçerat, si dhe çrregullime të shëndetit mendor. Po ashtu, ai kontribuon edhe në rreth 30 sëmundje të tjera, mes tyre kanceri i gjirit, goditjet në tru, diabeti dhe demenca.
Ekspertët shpjegojnë se edhe një sasi e vogël alkooli mund të dobësojë sistemin imunitar brenda pak minutash, duke ulur aftësinë e trupit për të luftuar infeksionet. Konsumimi i tepruar ose i vazhdueshëm mund të dëmtojë qelizat imunitare afatgjatë, duke rritur ndjeshmërinë ndaj sëmundjeve si pneumonia apo tuberkulozi.
Në lidhje me kancerin, specialistët thonë se alkooli është një nga shkaqet e parandalueshme kryesore, pasi dëmton ADN-në dhe rrit inflamacionin në trup. Për gratë, rreziku më i madh lidhet me kancerin e gjirit, ndërsa te burrat me kancerin kolorektal. Ndërprerja e alkoolit mund të ndalojë përparimin e disa dëmtimeve, por nuk garanton gjithmonë zhdukjen e plotë të rrezikut nëse sëmundja është zhvilluar tashmë.
Sa i përket trurit, studimet tregojnë se alkooli dëmton lidhjet neuronale dhe mund të shkaktojë tkurrje të trurit, sidomos në zonat përgjegjëse për kujtesën dhe vendimmarrjen. Disa dëmtime mund të përmirësohen pas ndërprerjes së konsumit, por rikuperimi nuk është gjithmonë i plotë.
Edhe për zemrën, kërkimet tregojnë një lidhje komplekse: konsumimi i ulët mund të ketë efekte të kufizuara pozitive, por rritja e konsumit e rrit ndjeshëm rrezikun për tension të lartë, sëmundje të zemrës dhe probleme të tjera serioze kardiovaskulare. Ekspertët theksojnë se shumë organizata shëndetësore rekomandojnë konsum sa më të ulët ose ndërprerje të plotë të alkoolit.
Në përfundim, specialistët nënvizojnë se ndalimi i konsumit të alkoolit mund të sjellë përmirësime të dukshme në shëndet, veçanërisht nëse bëhet herët, por disa dëme mund të mbeten të pakthyeshme në rastet e konsumit të gjatë dhe të rëndë./K.C/dritare.net