Na ndiqni edhe në

Ngjarjet e Ditës

Hyrje pa biletë dhe shmangie e radhës! Ministria sqaron ngjarjen në Kalanë e Gjirokastrës!

Hyrje pa biletë dhe shmangie e radhës! Ministria sqaron ngjarjen

Ministria e Turizmit, Kulturës dhe Sportit sqaron se lajmi i publikuar nga JOQ Albania mbi një incident të pretenduar në Kalanë e Gjirokastrës nuk përputhet me faktet e verifikuara nga institucionet përgjegjëse. Sipas pamjeve të kamerave të sigurisë dhe raportimit zyrtar të administratës së monumentit, pretendimet e ngritura nuk pasqyrojnë realisht ngjarjen e ndodhur.

REAGIM:

Siç mund të shihet qartë nga pamjet e kamerave të sigurisë rezulton qartë se qytetari në fjalë ka shmangur radhën e vizitorëve dhe ka hyrë në ambientet e kalasë nga zona e daljes, pa kryer pagesën e biletës, i ndjekur menjëherë edhe nga shoqëruesja e tij.

Në atë moment, punonjësja e biletarisë ishte duke kryer procedurat e pajisjes me bileta për vizitorë të tjerë.

Punonjësja e Kalasë së Gjirokastrës i ka kërkuar qytetarit të respektojë procedurën e rregullt të hyrjes dhe të kryejë pagesën sipas rregullave në fuqi për të gjithë vizitorët, vendas apo të huaj. Sipas raportimit të stafit prezent dhe asaj që evidentohet në pamjet filmike, qytetari ka refuzuar të zbatojë kërkesën dhe më pas ka nxjerrë telefonin celular duke filmuar punonjësen, ndërsa komunikimi ka vijuar me tone intimidimi, fyese dhe kërcënuese ndaj saj.

Për shkak të situatës së krijuar është kërkuar ndërhyrja e rojeve të sigurisë, me qëllim menaxhimin e incidentit dhe rikthimin e normalitetit në shërbim.

Ministria e Turizmit, Kulturës dhe Sportit dënon çdo përpjekje për të deformuar ngjarjen dhe për të cenuar figurën e punonjësve që ushtrojnë detyrën në zbatim të rregullave dhe administrimit korrekt të pasurive kulturore.

Institucionet tona mbeten të angazhuara për të garantuar një përvojë dinjitoze dhe profesionale për çdo vizitor në sitet kulturore të Shqipërisë, por njëkohësisht kërkojnë respektimin e rregullave nga çdo qytetar.

Kalaja e Gjirokastrës, një prej monumenteve më të rëndësishme të trashëgimisë kulturore shqiptare dhe pjesë e pasurisë botërore UNESCO, vetëm gjatë këtij viti është vizituar nga mbi 60 mijë vizitorë dhe administrohet mbi bazën e standardeve të qarta të shërbimit, sigurisë dhe aksesit për të gjithë./dritare.net