Këto teknika frymëmarrjeje e ulin stresin brenda pak minutash!
Dritare.net

Shkenca po tregon gjithnjë e më shumë se ushtrimet e frymëmarrjes, të cilat kanë rrënjë në praktika të lashta si joga dhe qigongu, mund të sjellin jo vetëm qetësim të menjëhershëm nga stresi, por edhe përfitime afatgjata për shëndetin.
Ekspertët shpjegojnë se frymëmarrja është një proces automatik, por mënyra si marrim frymë ndikon drejtpërdrejt në sistemin nervor, nivelin e stresit dhe shëndetin në përgjithësi. Frymëmarrja e shpejtë dhe sipërfaqësore aktivizon gjendjen “lufto ose ik”, ndërsa frymëmarrja e ngadaltë dhe e thellë e kalon trupin në gjendje qetësie dhe rikuperimi.
Sipas studimeve të fundit, vetëm disa minuta ushtrime në ditë mund të ulin hormonin e stresit dhe të ndihmojnë në përmirësimin e ankthit dhe inflamacionit në trup. Tek disa persona me sëmundje kronike, këto teknika mund të lehtësojnë edhe simptomat.
Mes teknikave më të njohura janë:
Frymëmarrja me psherëtimë, ku bëhen dy thithje të shpejta nga hunda dhe më pas një nxjerrje e ngadaltë e ajrit nga goja, duke ndihmuar në uljen e stresit dhe përmirësimin e humorit.
Frymëmarrja me katër faza, ku frymëmarrja ndahet në katër pjesë të barabarta: thithje, mbajtje, nxjerrje dhe mbajtje, që ndihmon përqendrimin dhe qetësinë.
Frymëmarrja 4-7-8, ku personi thith ajrin për 4 sekonda, e mban për 7 sekonda dhe e nxjerr për 8 sekonda, duke ndihmuar në uljen e ankthit.
Frymëmarrja e balancuar, ku thithja dhe nxjerrja bëhen me të njëjtin ritëm (rreth 5 sekonda secila), duke ndihmuar në rregullimin e sistemit nervor.
Metoda A52, e ngjashme me frymëmarrjen e balancuar, por me një pauzë të shkurtër prej 2 sekondash në fund të nxjerrjes së ajrit.
Ekspertët theksojnë se edhe 3–5 minuta në ditë mund të sjellin ndryshime të dukshme në trup, sidomos në uljen e stresit dhe përmirësimin e funksionimit të sistemit nervor.
Sipas tyre, më e rëndësishmja nuk është teknika perfekte, por praktika e rregullt: frymëmarrje e ngadaltë, e qetë dhe e thellë përmes hundës, që ndihmon trupin të kalojë në gjendje qetësie dhe ekuilibri./K.C/dritare.net