Filmi “Dua” sjell historinë e luftës së Kosovës në Festivalin e Kanës!
Dritare.net

Filmi “Dua” i regjisores Blerta Basholli e ka çuar Kosovën në një nga skenat më prestigjioze të kinemasë botërore.
Me një histori që trajton spastrimin etnik të shqiptarëve të Kosovës në fund të viteve ’90, filmi dje kishte premierën botërore në Festivalin e Cannes, në kuadër të programit prestigjioz Semaine de la Critique.

“Dua” do të shfaqet tri herë në kuadër të programit konkurrues të filmave artistikë.
Filmi ndjek rrëfimin e Duas, një vajze 13-vjeçare që përpiqet të kuptojë veten dhe botën përreth, teksa lufta dhe tensionet etnike afrohen çdo ditë më shumë.
Në kohën e bombardimeve dhe adoleshentja përballet me pasigurinë, ndryshimet e moshës dhe traumën e luftës.
Producenti Valon Bajgora është shprehur optimist për rrugëtimin e filmit në Cannes, duke theksuar se pjesëmarrja në “Semaine de la Critique” është një moment i rëndësishëm për të gjithë ekipin.
Me regji nga Basholli dhe skenar të shkruar në bashkëpunim me Nicole Borgeat, “Dua” është bashkëprodhim mes Kosovës, Zvicrës dhe Francës.
Në kastin e filmit marrin pjesë aktorët Arben Bajraktaraj, Yllka Gashi, Kushtrim Hoxha, Fiona Abdullahu dhe emra të tjerë./dritare.net