Shqipëria në BE, Ministri italian: Europa nuk mund të jetë si klubet e vjetra aristokratike
Dritare.net

Ministri italian i Mbrojtjes, Guido Crosetto foli për herë të parë për nje media shqiptare. Në një intervistë për gazetaren Rudina Xhunga në Romë, ministri foli për procesin e integrimit të Shqipërisë në Bashkimin Europian, duke kritikuar ashpër ngadalësinë burokratike të BE-së në raport me zgjerimin.
Gjatë bisedës, përtej historisë dhe marrëdhënieve mes vendeve, vëmendja u përqendrua te sfidat aktuale gjeopolitike dhe rëndësia strategjike e Shqipërisë në rajon. Crosetto përdori një metaforë të fortë për të përshkruar qasjen e Bashkimit Europian ndaj vendeve aspirante.
“Prej kohësh ankohem për ngadalësinë burokratike europiane për të futur vende si Shqipëria brenda saj. Europa nuk duhet të jetë si klubet e vjetra aristokratike angleze ku duhej të prisje vite për t’u pranuar”, u shpreh ministri italian.
Ai paralajmëroi se arroganca institucionale dhe zvarritja e proceseve mund të kenë pasoja negative për vetë Europën, sidomos në një kohë tensionesh të larta ndërkombëtare.
“Aristokratët zakonisht përfundojnë keq kur koha ecën përpara, siç na mëson Revolucioni Francez. Në kohë të shpejta si këto, ne duhej ta kishim përshpejtuar shumë hyrjen e disa vendeve, si Shqipëria dhe vendet e tjera të Ballkanit, sepse vetëm kështu forcojmë Europën dhe mbrojtjen europiane”, deklaroi Crosetto.
Sipas ministrit italian, integrimi i Shqipërisë dhe i vendeve të Ballkanit Perëndimor nuk është më thjesht një procedurë administrative, por një domosdoshmëri strategjike për sigurinë, stabilitetin dhe të ardhmen e kontinentit europian./L.F-dritare.net
View this post on Instagram