Na ndiqni edhe në

Ngjarjet e Ditës

SPAK në aksion/ Rrjet heroine mes Shqipërisë dhe Danimarkës. Arrestohen dy vëllezërit

SPAK në aksion/ Rrjet heroine mes Shqipërisë dhe Danimarkës.

Të dyshuar si pjesë e një grupi të strukturuar kriminal që ka trafikuar heroinë nga Suedia drejt Danimarkës të paktën 7 herë, SPAK ka ekzekutuar masat e sigurisë të caktuara nga GJKKO ndaj 2 vëllezërve fierakë.

SPAK bëri me dije se dje, më datë 14 maj, ra në pranga Marsel Licaj, i dyshuar si i përfshirë në 7 episodet e trafikut të lëndës narkotike, ndërsa ndaj Ermal Licaj u ekzekutuan masa detyrim për paraqitje dhe ndalim i daljes jashtë shtetit.

Ata akuzohen për “Prodhim dhe shitje e narkotikëve”, e kryer në formën e veçantë të bashkëpunimit, atë të grupit të strukturuar kriminal, “Kryerje e veprave penale nga organizata kriminale ose grup i strukturuar kriminal”, dhe “Grup i strukturuar kriminal”, kryer në formën e pjesëmarrjes.

Pas kërkesës së paraqitur nga Prokuroria e Posaçme, Gjykata me vendimin e saj nr. 28, datë 14.5.2026 vendosi caktimin e masës të sigurimit personal me karakter shtrëngues “arrest në burg” parashikuar nga neni 238 i Kodit të Procedurës Penale për shtetasin M. L., (alias G.), si dhe masat e sigurimit personal “Detyrimi për t’u paraqitur në policinë gjyqësore” dhe “Ndalimi i daljes jashtë shtetit” të parashikuara nga nenet 234 dhe 233 të Kodit të Procedurës Penale, për shtetasin E. L.


Hetimet lidhur me këtë procedim penal u realizuan në bashkëpunim të ngushtë me autoritetet e drejtësisë daneze dhe Byronë Kombëtare të Hetimit (BKH).

Autoritetet daneze, në muajin gusht të vitit 2023 kanë regjistruar procedimin penal nr. 0100-71282-00102-23 – “Operacioni Bacchus”. Në hetim ishte një grup shtetasish shqiptarë dhe të huaj, të cilët në kuadër të grupit të strukturuar kriminal kanë zhvilluar aktivitetin kriminal të trafikimit dhe shpërndarjes së lëndëve narkotike të llojit heroinë në Mbretërinë e Danimarkës.

Kjo veprimtari është shtrirë nga 1 tetor 2023 deri më 23 janar 2024, në 7 episode, gjatë të cilëve, anëtarët e grupit kriminal kanë importuar në Mbretërinë e Danimarkës heroinë përmes shtetit kufitar të Suedisë. Lënda narkotike e trafikuar, përgatitej për shitje në tregun danez, e përzierë me lëndë të tjera si paracetamol dhe kafeinë, me qëllim maksimizimin e fitimeve.

Nga hetimet paralele të kryera nga prokuroritë e dy vendeve, deri në këto momente është bërë e mundur identifikimi, procedimi në Danimarkë i 3 personave (dy shtetas shqiptarë dhe një i huaj), ndërsa në Shqipëri është mundësuar identifikimi i 2 (dy) shtetasve të tjerë shqiptarë, të cilët ishin të përfshirë në aktivitetin e paligjshëm kriminal në fushën e prodhimit dhe shitjes së narkotikëve.

Më 14.5.2026, Drejtoria e Përgjithshme e Policisë së Shtetit ka bërë të mundur ekzekutimin e masave të sigurimit personal për të dy shtetasit në hetim.

Ndërkohë, hetimet vazhdojnë për administrimin e provave lidhur me mplikimin e personave të tjerë, të cilët dyshohet se janë përfshirë në këto veprimtari të paligjshme kriminale./K.C/dritare.net