Helmimi i 52 studentëve të Akademisë së Sigurisë, AKU mbyll SORI-AL dhe e gjobit
Dritare.net

Rasti i 52 studentëve të Akademisë së Sigurisë që dyshohet se u helmuan më 6 maj është lidhur me ushqim të kontaminuar, konkretisht makarona ku analizat kanë zbuluar praninë e baktereve Escherichia coli dhe Staphylococcus aureus. Këto rezultate u konfirmuan nga Autoriteti Kombëtar i Ushqimit (AKU), pas analizimit të 9 mostrave, ku 8 dolën brenda normave, ndërsa vetëm një kampion i marrë në kuzhinën e Akademisë në Sauk rezultoi problematik.
Pas këtyre gjetjeve, AKU vendosi të bllokojë aktivitetin e kompanisë së kateringut “SORI-Al”, e cila furnizonte Akademinë me tre vakte në ditë, si dhe disa institucione të tjera. Po ashtu, është ndaluar veprimtaria e saj edhe në ambientet e Garnizonit “Skënderbej”, ku përgatiteshin ushqimet që shpërndaheshin më pas. Kompania u gjobit me 1.5 milionë lekë për shkelje të sigurisë ushqimore dhe kushte të papërshtatshme higjieno-sanitare, ndërsa është urdhëruar edhe asgjësimi i produkteve të bllokuara.
AKU ka kërkuar gjithashtu mbylljen e përkohshme të kuzhinës së Akademisë së Sigurisë deri në dezinfektimin e plotë të ambienteve dhe pajisjeve. Sipas autoriteteve shëndetësore, bakteret e gjetura zakonisht përhapen nga higjiena e dobët gjatë përgatitjes ose ruajtjes së ushqimit dhe mund të shkaktojnë simptoma si të vjella, diarre, dhimbje barku dhe temperaturë.
Në aspektin ligjor, administratorja e kompanisë është nën hetim në gjendje të lirë, së bashku me një teknologe, ndërsa ndaj kuzhinierit dhe një tjetër teknologeje gjykata ka caktuar masën “detyrim paraqitjeje”, ndonëse prokuroria kishte kërkuar arrest me burg. Ndërkohë, kompania “SORI-Al” rezulton fituese e dhjetëra tenderave publikë në vitet e fundit, me një vlerë të konsiderueshme financiare./K.C/dritare.net