
Donald Trump është pritur me ceremoni madhështore në Kinë nga presidenti Xi Jinping, në një vizitë që synon të rishikojë marrëdhëniet mes dy fuqive më të mëdha ekonomike në botë, por që mbetet e shoqëruar me çështje të ndjeshme.
Në Pekin, Trump u prit me nderime ushtarake në “Great Hall of the People”, me gardë nderi, përshëndetje zyrtare dhe një bandë që interpretoi himnin amerikan. Gjatë takimeve, ai u shfaq i afërt me Xi Jinping, duke e vlerësuar atë publikisht si “një lider të madh” dhe duke theksuar se Kina është një vend “i bukur”.
Vizita vjen në një kohë kur marrëdhëniet SHBA–Kinë mbeten të tensionuara, sidomos për shkak të luftës tregtare, tarifave të larta dhe çështjeve gjeopolitike si Tajvani dhe Irani. Megjithatë, të dyja palët kanë lënë të hapur mundësinë e një marrëveshjeje të re ekonomike dhe bashkëpunimi më të gjerë.
Sipas analizave, Kina ka shfrytëzuar vizitën për të treguar fuqinë e saj globale dhe ndikimin në ekonominë botërore, ndërsa SHBA kërkon mbështetje edhe në çështje si hapja e korridoreve detare në rajone të tensionuara.
Megjithëse takimi u shoqërua me tone miqësore dhe deklarata pozitive, ende nuk janë bërë publike detaje konkrete për ndonjë marrëveshje, ndërsa negociatat pritet të vazhdojnë në ditët në vijim./K.C/dritare.net