Na ndiqni edhe në

Opinione

Sal Da Vinci dhe Alis, dy anët e një medaljeje njerëzore

Sal Da Vinci dhe Alis, dy anët e një medaljeje njerëzore

Nga Alba Malltezi

Kur Sal Da Vinci fitoi Sanremon në Itali, shumë intelektualë zunë hundët. Melodramat napoletane po pushtojnë shijet italiane? Nga tavolinat e festave të malavitës, në tempullin e këngës italiane? Fjalët që u thanë ishin të rënda nga gazetarë dhe media me peshë në opinionin publik, por mendimi, pikërisht “me peshë”, nuk kishte marrë parasysh dëshirën e madhe të publikut italian për hare, për dashuri, për familje, për entuziazmin e Sal Da Vincit në kohët kur pesimizmi shpërndahet kudo dhe me shumicë. Alegria ngjitëse e napoletanit nuk është fake; këngëtari e beson këngën që këndon madje është bërë njësh me të, është një zgjatim i mesazhit pozitiv të saj.


Në Eurovizion 2026 është dhe Shqipëria me Alis dhe këngën e tij të dhimbshme “Nan”! Një nënë që vuan për fëmijët në emigracion, një këngë që i këndon dhimbjes, trishtimit, ana e kundërt e gëzimit, një ndjenje njerëzore të thellë. Është kjo linjë që lidh dy këngët, edhe pse në skaje të ndryshme: dhimbja dhe gëzimi, bashkë përjetë dhe largimi, pritja pa fund dhe shijimi i një dashurie.


Në instagram mund të ndiqni dhe shihni Aaron, një djalosh italo-amerikan i spektrit autik (americano3_ufficiale) dhe ai shpjegon shumë bukur dhe qartë se ç’janë sot italianët, ku e gjejmë veten si shqiptarë në të njëjtin përkufizim: “Ju, - u thotë Aaron, - bëni diçka që bota ka harruar ta bëjë. Që në Shba nuk bëhet më: Ju prekni njëri-tjetrin! Përqafoheni, putheni, bashkoheni! Një gjyshe (gjyshja e Aaron ishte italiane) kap fytyrën e një nipi dhe e “shtrydh” me dashuri, e puth, i nduk faqet. Kjo është ndjenjë e bukur njerëzore, thotë Aaron, që në botë është harruar të bëhet. Njerëzit po bëhen të ftohtë dhe të largët me njëri-tjetrin”.

Italia dhe Shqipëria çojnë bashkë njerëzoren, dhimbjen dhe dashurinë. Ajo që është në këngë, është dhe mes njerëzve. Kush e ka më të ndjerë, më të vërtetë e më të realizuar artistikisht, kjo duhet parë nga reagimi i publikut në përgjithësi, por vetëm fakti që jemi të gjallë, njerëzorë, është një shenjë e bukur dhe shumë e mirë./dritare.net