Shqipëria surprizon në Eurovision 2026. Jehonë në rrjetet sociale!
Dritare.net

Shqipëria po konsiderohet si një nga surprizat më të mëdha të Eurovision Song Contest 2026, pas reagimeve shumë pozitive që ka marrë performanca shqiptare në skenën europiane.
Përfaqësimi i Shqipërisë me këngën “Nân”, interpretuar nga Alis Kallaçi, ka tërhequr vëmendjen e mediave ndërkombëtare dhe komunitetit të fansave të Eurovision-it, të cilët e kanë cilësuar performancën si “emocionale”, “autentike” dhe “me identitet të fortë shqiptar”.
Në rrjetet sociale dhe forumet ndërkombëtare, shumë komentues janë shprehur të prekur nga mesazhi i këngës, e cila trajton lidhjen me nënën dhe emigrimin. Disa fansa kanë shkruar se Shqipëria mund të arrijë edhe fitoren këtë vit.
“Më bëri të qaj menjëherë. Jam shumë i lumtur që u kualifikua”, shkroi një fans në Reddit.
Një tjetër koment që është shpërndarë gjerësisht thotë:
“Shqipëria ka një nga paketat më të forta për fitore këtë vit.”
Vlerësime ka marrë edhe interpretimi vokal i Alis Kallaçit, si dhe skenografia minimaliste që sipas mediave europiane krijon një atmosferë të fortë emocionale në skenë.
Kënga interpretohet në gegërisht, një element që është parë pozitivisht nga publiku europian, pasi ruan autenticitetin kulturor shqiptar dhe e dallon Shqipërinë nga performancat e tjera të festivalit.
Pas performancës në gjysmëfinale, Shqipëria siguroi kualifikimin në finalen e madhe të Eurovision 2026, duke rritur pritshmëritë për një rezultat historik në këtë edicion të festivalit europian të muzikës.
View this post on Instagram