Rama në Talin: Estonia mbështet integrimin e Shqipërisë në BE, thirrje edhe për turizmin shqiptar
Dritare.net

Kryeministri Edi Rama zhvilloi një takim zyrtar në Talin me homologun estonez Kristen Michal, ku në fokus të bisedimeve ishin integrimi europian i Shqipërisë, bashkëpunimi në teknologji dhe siguria në kuadër të NATO-s.
Deklarata e përbashkët nisi me humor nga Rama, i cili tha:
“Sot është ditë me diell në Talin sepse solla diellin nga Shqipëria.”
Gjatë konferencës, kryeministri estonez rikonfirmoi mbështetjen e vendit të tij për rrugëtimin europian të Shqipërisë.
“Estonia mbështet fort zgjerimin e Bashkimit Europian. E kemi mbështetur Shqipërinë në rrugëtimin e saj drejt BE dhe do të vazhdojmë ta bëjmë. Vazhdoni të ecni përpara me reformat. Nëse Shqipëria përmbush detyrat e saj, edhe BE do të bëjë të njëjtën gjë”, deklaroi Michal.
Nga ana e tij, Rama falënderoi Estoninë për mbështetjen dhe u shpreh optimist për fazën e ardhshme të negociatave me Bashkimin Europian.
“Faleminderit shumë që vazhdoni të mbështesni Shqipërinë. Presim me padurim të kalojmë në fazën tjetër shumë shpejt dhe të vazhdojmë duke nisur mbylljen e kapitujve të negociatave”.
Një pjesë e diskutimeve u përqendrua edhe te siguria dhe lufta në Ukrainë. Michal e cilësoi Shqipërinë “një aleate shumë të mirë në NATO”, ndërsa Rama theksoi se dy vendet ndajnë të njëjtat vlera demokratike dhe kundërshtojnë ndërhyrjet e huaja.
Kryeministri shqiptar vlerësoi gjithashtu modelin estonez në teknologji dhe dixhitalizim, duke theksuar se Shqipëria synon të avancojë më tej shërbimet online dhe inteligjencën artificiale.
Në fund të deklaratës, Rama bëri edhe një thirrje për qytetarët estonezë që të vizitojnë Shqipërinë, duke vënë në dukje rritjen e numrit të turistëve nga Estonia vitet e fundit.
“Është kënaqësi të shohësh trefishimin e numrit të estonezëve që vijnë që prej vitit 2023. Ju ftoj të vini edhe në dimër për të shijuar Shqipërinë. Nuk kemi simpati për Putinin atje, kështu që do të ndiheni krejt si në shtëpi”, u shpreh Rama me batutë./L.F-dritare.net