
Mësuesit emigrantë, ndërtojnë vullnetarisht shkolla shqipe në Zvicër!
Dritare.net
Në emisionin “Java në Dritare” ishte i ftuar Vaxhid Sejdiu, mësuesi me origjinë nga Kumanova, i cili prej 30 vitesh jeton dhe punon si mësues në shkollën shqipe në Zvicër.
Ai na tregoi si nisi e gjitha kjo dhe mbështetjen që Shqipëria, Kosova, Maqedonia e Veriut por edhe vetë Zvicra ka treguar ndaj këtyre shkollave që fëmijët të kenë mundësinë të mësojnë dhe të mos e harrojnë gjuhën amtare.
"Shkolla shqipe këtu është hapur në vitin 2019. Në fakt shkollat shqipe në Zvicër janë hapur prej shumë vitesh me ndihmën e prindërve shqiptar këtu dhe vullnetarëve dhe atdhetarëve por kohëve të fundit fatkeqësisht ka një rënie të numrit të nxënësve. Ndaj ne jemi munduar ta ndryshojmë këtë gjendje. Një grup mësuesish vullnetarë, filluam të përpiqemi që të kishim sa më shumë pika shkollore ku fëmijët shqiptarë të ndiqnin mësimet në gjuhën shqipe. Kështu prekëm edhe interesin e institucioneve të Republikës së Shqipërisë, Kosovës dhe Maqedonisë së Veriut. Ambasada shqiptare ishte ajo që në 2019 u bë sponsor zyrtar i organizimit të mësimit të gjuhës amtare. Janë diku tek 100 shkolla në 16 kantone të Zvicrës me një numër jashtëzakonisht të madh nxënësish ku punojnë 35 mësues. Mësimi zhvillohet sipas kurrikulës së përbashkët Shqipëri-Kosovë. Shteti zvicerian ofron infrstrukturën e plotë pra klasat dhe mjetet e punës dhe një mësues i gjuhës shqipe këtu është njësoj me kolegun e tij zviceran. Janë gjithashtu prindërit që punojnë më shumë pasion që fëmijët të mos e harrojnë gjuhën amtare”, tha Sejdiu/M.K/dritare.net

















