Na ndiqni edhe në

Ngjarjet e Ditës

Mandati i Lapaj në Tiranë në pikëpyetje. Çfarë po ndodh!

Mandati i Lapaj në Tiranë në pikëpyetje. Çfarë

Mandati i vetëm që koalicioni “Nisma Shqipëria Bëhet” fitoi në zgjedhjet e 11 majit është vënë në pikëpyetje. Kandidati Zeqir Kordhoni, i renditur në listën e mbyllur të Tiranës nga Nisma Thurje, ka dorëzuar një kërkesë në KQZ për të marrë dijeni mbi letrën e dorëheqjes që është dorëzuar në emër të tij nga koalicioni para zgjedhjeve.

Më 11 maj, pas zgjedhjeve, Nisma Shqipëria Bëhet ka dorëzuar dorëheqjet e të gjithë emrave në listë të mbyllur. Mes tyre është edhe Zeqir Kordhoni, i renditur i 9-ti në listën e Tiranës. Sipas CV-së së tij, ai është një punëtor ndërtimi dhe një invalid që trajtohet me KEMP.

Kordhoni u shpreh për mediat se nuk mban mend të ketë firmosur ndonjë dokument që parashikon dorëheqjen nga mandati dhe kërkon të verifikojë çdo gjë zyrtarisht. Ai shtoi se nuk ka qenë dakord me këtë marrëveshje në parim, dhe pas verifikimeve në KQZ do të bisedojë me drejtuesit e koalicionit, Adriatik Lapaj dhe Endri Shabani.

Kordhoni tha se ka firmosur shumë gjëra gjatë kandidimin dhe se nuk ishte i qartë nëse kishte firmosur edhe mospranimin e mandatit të deputetit. Por ai ishte i qartë, se nëse Lapaj dëshiron të shkojë në Kuvend, duhet të kalojë më parë nga ai.

“Po na sjell shumë andralla Adriatiku, një herë do hyj e një herë nuk do hyj. Por unë nuk jam i bindur se cfarë do bëj. Duhet që Adriatiku të ulet ballë për ballë me mua dhe ta sqarojmë këtë histori. Kam punuar 72 orë me të pa shkuar në shtëpi e jam edhe invalid”,-tha Zeqir Kordhoni.

Pyetjes nëse ishte ai që kishte firmosur dorëheqjen nga mandati më 11 maj, Kordhoni ju përgjigj: “Kam firmosur shumë gjëra në atë kohë dhe nuk e kam të qartë nëse kam firmosur dorëheqjen”./L.F-dritare.net