Na ndiqni edhe në

Ngjarjet e Ditës

Linda Rama për Forbes: Mësimet më të mëdha i nxorëm nga gabimet tona

Linda Rama për Forbes: Mësimet më të mëdha i

Linda Rama ka marrë pjesë sot në Samitin Forbes 2025 që po zhvillohet në Abu Dhabi me rastin e Ditës Ndërkombëtare të Gruas.

Të ftuar në samit janë personalitete të politikes, artit, shoqërisë civile, biznesit nga rreth 50 vende të botës. Ekonomiste, avokate për të drejtat, bashkëshortja e Kryeministrit Shqiptar, bisedoi me Mika Brzezinski, mbi temën “Fuqia pas Progresit” në samitin e Forbes30/50, shkruan Forbes.

Gjatë fjalës së saj, Linda kujtoi se kur kishte nisur punën, kishte parë nga afër kontradiktat e një sistemi që propagandonte një ekonomi të fuqishme, por që në realitet kishte kushte të vështira pune.

“Nisa punën pak para se të binte komunizmi, kështu që pata katër vjet përvojë gjatë atij sistemi. Fillova punë në një kombinat të madh, ku punonin mbi 7,000 njerëz. Në fakt, pata fatin ta përjetoja këtë eksperiencë, sepse më dha mundësinë të shihja nga afër sesi gjithë propaganda për një ekonomi të fuqishme përfundonte në një kombinat me kushte shumë të vështira për punëtorët. E pashë këtë realitet në praktikë, me marrëdhënie të shtrembëruara mes punëtorëve, mes tyre dhe punës, si dhe mes tyre dhe pronës, e cila quhej pronë e përbashkët. E kujtoj shumë mirë periudhën kur komunizmi ra, sepse ishim plotësisht në kaos. Nuk e dinim çfarë do të ndodhte. E vetmja dëshirë që na mbante gjallë ishte se ndodheshim në prag të çlirimit nga komunizmi. Dhe më kujtohet ajo pasiguri e madhe. Por, në të njëjtën kohë, besonim se sapo të çliroheshim nga komunizmi, do të përfundonim menjëherë si Europa apo Amerika. Në fakt, nuk ndodhi kështu.

Tani, sa më shumë e mendoj atë periudhë, aq më shumë e kuptoj se nuk dinim asgjë për atë që po vinte. Dhe në fakt, askush nuk e dinte. Kur them askush, përfshij edhe ata që po shfaqeshin me parti të reja apo ata që ishin në krye të lëvizjeve të ndryshme. Me kalimin e viteve, kuptova se mësimet më të mëdha i nxorëm nga gabimet tona. Po mësonim rrugës. Dhe besomëni, të mësosh nga gabimet është shumë e dhimbshme dhe ka një kosto ekstreme për gjithë popullsinë”, u shpreh Linda Rama në samit./K.C/dritare.net