
Kurti: Kemi prova se Serbia ndërhyri drejtpërdrejt në zgjedhjet e 9 shkurtit
Dritare.net
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, e ka akuzuar Serbinë të dielën se ka ndërhyrë drejtpërdrejt në zgjedhjet parlamentare të 9 shkurtit në Kosovë, dhe se ka ndikuar në zgjedhjen e deputetëve serbë dhe të pakicave të tjera.
“Aparati shtetëror i Serbisë ka bërë përpjekje të jashtëzakonshme t’i dëmtojë subjektet rivale serbe, veçanërisht Partinë për Liri, Drejtësi e Mbijetesë dhe Partinë Demokracia Serbe, si dhe votuesit të subjekteve të komuniteteve të tjera, kryesisht romë dhe ashkali”, tha ai.
Partia për Liri, Drejtësi e Mbijetesë udhëhiqet nga Nenad Rashiq, i cili është ministër në Qeverinë e Kurtit, i emëruar pas largimit të Listës Serbe nga institucionet e Kosovës.
Rashiq, duke folur përkrah Kurtit në konferencë në Prishtinë, tha se autoritetet serbe i përdorin serbët e Kosovës si mekanizëm për menaxhim, por edhe si element për destruktivitet.
“Ata nuk duan që ne të kemi integrim të plotë dhe një jetë në harmoni në Kosovë, por pikërisht të kundërtën”, tha Rashiq.
Përfaqësues të caktuar nga pothuajse të gjitha subjektet e tjera politike serbe janë tërhequr nga gara pas kërcënimeve që kanë marrë, sipas Kurtit.
Ai tha se këto raste janë shënuar në katër komunat me shumicë serbe në veri të Kosovës, por edhe në gjashtë komunat e tjera në jug të vendit.
“Për shumicën e këtyre rasteve, institucionet tona kanë dëshmi të cilat për hirë të privatësisë dhe sigurisë së qytetarëve serbë, nuk e dobishme të bëhen publike”, tha Kurti.
Reagimi i Listës Serbe
Lista Serbe i hodhi poshtë akuzat e kryeministrit Kurti se shteti i Serbisë ka ndërhyrë në zgjedhjet e 9 shkurtit në Kosovë duke e ndihmuar këtë parti.
Në një reagim në Facebook, Lista Serbe i cilësoi si “gënjeshtra brutale” akuzat që Kurti dhe lideri i partisë serbe në Kosovë, Partia për Liri, Drejtësi e Mbijetesë, Nenad Rashiq, i bënë ndaj Serbisë në një konferencë për media në Prishtinë.
“Lista Serbe është krenare që ka marrë mbështetjen më të madhe nga populli serb dhe që, pavarësisht të gjitha presioneve, shantazheve dhe kërcënimeve, arriti të rezistojë falë unitetit të popullit tonë, duke dëshmuar edhe një herë se nuk ka dorëzim”, shkroi ajo.
Misioni vëzhdues i BE-së, në prezantimin e gjetjeve preliminare të tij për zgjedhjet e 9 shkurtit, tha se Serbia kishte ndërhyrë në zgjedhje përmes trysnisë ndaj votuesve serbë në Kosovë.
Serbia u akuzua edhe nga Gjermania për ndërhyrje në zgjedhjet në Kosovë.
Sipas të dhënave të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve të Kosovës, Lista Serbe - e cila gëzon mbështetjen e Beogradit zyrtar - ka marrë mbi 38.000 vota, ndërsa partia e Rashiqit rreth 4.000 vota.
Kushtetuta e Kosovës garanton dhjetë nga 120 vendet e Kuvendit për komunitetin serb dhe dhjetë të tjera për komunitetet e tjera joshumicë.
Marta Temido, shefe e delegacionit të anëtarëve të Parlamentit të Evropian, tha në fund të shkurtit se misioni vëzhgues ka gjetur se autoritetet serbe ndërhynë në zgjedhjet e Kosovës duke mbështetur Listën Serbe – njërën prej gjashtë partive serbe që morën pjesë në zgjedhje.
Kurti e akuzoi Serbinë për ndërhyrje hibride, përmes joshjes dhe kushtëzimit financiar, shantazhit, frikësimit dhe kërcënimit për t’i detyruar votuesit të votojnë për Listën Serbe.
Ai theksoi se autoritetet kosovare “kanë identifikuar shtatë instanca apo aktorë shtetërorë, i pari presidenti i Serbisë Aleksandar Vuciq, i dyti kryeterroristi Millan Radoiçiq, shefi i Zyrës për Kosovën në Qeverisë e Serbisë Petar Petkoviq, Agjencia Serbe e Inteligjencës (BIA), mediat serbe të kontrolluara nga pushteti, Lista Serbe dhe strukturat e jashtëligjshme serbe”.
“Vetë presidenti i Serbisë ka nxitur çdo aktor shtetëror dhe joshtetëror serb të përfshihet në zgjedhjet e Kosovës. Për këtë qëllim rol ekzekutiv ka pasur kryeterroristi Millan Radoiciq, apo njeriu i cili ka marrë detyrat për Kosovën nga presidenti i Serbisë”, tha Kurti.
Kryeministri Kurti tha se Serbia përdori “të paktën 10 metoda” për të ndërhyrë në zgjedhje, si joshja financiare përmes përfitimit të një pagesë mujore rreth 170 euro për të gjithë personat e moshës madhore, kërcënimi i humbjes së benefiteve financiare, përçarja e rivalëve të Listës Serbe, shantazhi e presionit për të mos mbështetur subjekte të tjera pos Listës Serbe, mes tjerash.
Disa ditë para ditës së zgjedhjeve, një kandidat serb për deputet tha për Radion Evropa e Lirë se humbi punën pasi doli kundër Listës Serbe.
Ai tha se një anëtar i autoritetit të përkohshëm komunal në Skenderaj, Nebojsha S. Tomasheviq, i ka thënë më 27 janar se “do të sigurohet që ai të mos marrë më asnjë rrogë nga buxheti i Serbisë, sepse është tradhtar”.
Më 7 mars, Lista Serbe pretendoi se Partia për Liri, Drejtësi dhe Mbijetesë e Rashiqit ka siguruar një mandat në Kuvendin e Kosovës “falë” votave të shqiptarëve, sikurse në Podujevë, Shtime, Suharekë, Ferizaj, Malishevë dhe Kaçanik.
Rashiq në një deklaratë për Radion Evropa e Lirë, tha se në dy vjetët e fundit ka qenë ministër për Komunitete dhe Kthim në Qeverinë e Kosovës dhe se me punën e tij ka fituar besimin e komuniteteve të tjera joshumicë që jetojnë në Kosovë, e jo vetëm të komunitetit serb.
Presidenti serb Vuçiq tha pas zgjedhjeve të 9 shkurtit në Kosovë se Lista Serbe shënoi “fitore të madhe dhe të rëndësishme për Serbinë, duke treguar “përkushtimin e fortë të popullit serb për t’i ruajtur vatrat e tyre dhe për t'u mbështetur te Serbia e tyre”.
Që nga themelimi i saj në vitin 2013, Lista Serbe ka fituar mbi 90 për qind të votave të komunitetit serb në të gjitha zgjedhjet në të cilat ka marrë pjesë, por Misioni Monitorues i BE-së ka vënë në dukje “monopolin dhe presionet” nga zyrtarët e saj.
Në dy vjetët e fundit, kjo parti ka ndjekur një “politikë bojkotimi”, në përputhje me vendimin e saj për t’u tërhequr nga institucionet e Kosovës në veri.
Nuk është ende e qartë nëse, në periudhën e ardhshme, ajo do të marrë pjesë aktive në institucionet e Kosovës, apo do të vazhdojë me bojkotim./rel

















