
LVV-ja kërkon përsëritjen e votimit përmes postës, për shkak të “manipulimit”
Dritare.net
Lëvizja Vetëvendosje (LVV) ka kërkuar shfuqizimin dhe përsëritjen e votimit përmes postës në mërgatë të zgjedhjeve parlamentare të muajit të kaluar, pasi u ankua në Panelin Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa për “manipulim të fletëvotimeve”, konfirmoi për Radion Evropa e Lirë zëdhënës i kësaj partie, Arlind Manxhuka, të shtunën.
Vetëvendosja, e udhëhequr nga kryeministri Albin Kurti, fitoi më së shumti vota nga votimi me postë, 51.57 për qind, apo me mbi 31.000 vota.
Lidhja Demokratike e Kosovës arriti t’i sigurojë 30.55 për qind të votave, Partia Demokratike e Kosovës me 9.48 për qind dhe koalicioni Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës – Nisma me 3.23 për qind.
Mbi 84.000 shtetas të Kosovës në mërgatë kishin zgjedhur të votonin përmes postës për zgjedhjet e 9 shkurtit, sipas Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ).
Në aneksen e saj, Vetëvendosje tha se “ky organizim i tillë i votimit, unik dhe mirë i organizuar në formë manipuluese, nuk ka mundur të ndodhte pa një organizim, koordinim dhe bashkëveprim me deputetët e LDK-së”.
Ndërkohë, Manxhuka shkroi të shtunën në Facebook se “është evidente skema që është përdorur nga votimi përmes postës në mërgatë. 400% më shumë vota për LDK-në, me vota shabllone për kandidatë të caktuar, ndërkohë që ekstremisht larg nga ky trend janë PDK e parti të tjera opozitare”.
Eugen Cakolli nga Instituti Demokratik i Kosovës tha se, ndonëse dyshimet mbi manipulimet e mundshme të votave duhen trajtuar e hetuar kujdesshëm, përsëritja e votimit përmes postës do të kishte “pasoja të mëdha”.
“Një vendim i tillë jo vetëm që do të shkaktonte vonesa në certifikimin e rezultateve, por mbi të gjitha do të ndëshkonte edhe ata qytetarë që kanë votuar në mënyrë të rregullt”, tha Cakolli në Facebook të shtunën.
Panelit Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa i duhen zakonisht 72 orë për të vendosur për ankesat që i pranon.
Procesi i numërimit të të gjitha votave përfundoi më 5 mars, rreth një muaj pas mbajtjes së zgjedhjeve parlamentare në vend më 9 shkurt.
Sipas rezultateve përfundimtare, që përfshijnë edhe votat në vendvotimet në Kosovë, ato në përfaqësitë diplomatike, me kusht dhe atyre të personave me nevoja të veçanta, asnjëra parti nuk ka siguruar numër të mjaftueshëm për të qeverisur e vetme.
Për të pasur shumicën, nevojiten së paku 61 deputetë në Kuvendin me 120 ulëse të Kosovës.
Si partia e parë, Vetëvendosje i ka fituar 396.022 vota, apo 42.27 për qind, duke i siguruar 48 ulëse.
Udhëheqësi i saj, kryeministri Albin Kurti, është zotuar se do ta formojë qeverinë në mënyrë të pavarur.
Partitë aktualisht në opozitë, përveç Nismës, e kanë përjashtuar mundësinë e koalicionit me të.
KQZ-ja pritet të bëjë certifikimin e rezultateve në mes të këtij muaji.
Analistët thonë se ka disa opsione të mundshme për formimin e qeverisë së re./REL

















