
Çfarë është hantavirusi, sëmundja e rrallë që i mori jetën gruas së aktorit Gene Hackman!
Dritare.net
Aktori Gene Hackman vdiq nga sëmundja e zemrës rreth një javë pasi gruaja e tij Betsy Arakawa vdiq nga një sëmundje e rrallë infektive në shtëpinë e tyre, tha një patolog.
Por çfarë dimë për virusin e rrallë?
Çifti u gjet i vdekur më 26 shkurt në dhoma të veçanta të shtëpisë së tyre në Santa Fe, së bashku me një nga qentë e tyre dhe të premten rezultatet e testeve mjekësore u publikuan në New Mexico.
Fituesi i çmimit Oskar, Hackman, ishte në fazat e avancuara të Alzheimerit kur vdiq nga sëmundja e zemrës dhe ka të ngjarë të ishte vetëm në shtëpi me trupin e gruas së tij për një javë para se të vdiste edhe vetë.
Dr.Heather Jarrell, kryeekzaminuese mjekësore për New Mexico, u tha gazetarëve se Betsy Arakawa besohet të ketë vdekur rreth 11 shkurtit.
Ekzaminimi pas vdekjes tregoi se zonja Arakawa, e njohur si Betsy Hackman, vdiq nga sindroma pulmonare hantavirus, një sëmundje e rrallë, por potencialisht fatale.
Por, çfarë është dhe si infektoheni?
HPS, që njihet zakonisht si sëmundja hantavirus, është një sëmundje e frymëmarrjes e shkaktuar nga hantaviruset të cilat barten nga disa lloje brejtësish.
Është një gjendje e rrallë në SHBA, me shumicën e rasteve të përqendruara në shtetet perëndimore të New Mexico, Arizona, Kolorado dhe Utah.
Departamenti i Shëndetësisë në New Mexico thotë se hantaviruset përhapen nga pështyma, jashtëqitjet dhe urina e brejtësve të infektuar, të cilët në Amerikën e Veriut ka shumë të ngjarë të jenë miu (Peromyscus maniculatus).
Virusi shpesh transmetohet përmes ajrit kur njerëzit fshijnë kasollet ose pastrojnë dollapët ku kanë jetuar minjtë, ose duke ngrënë ushqim të kontaminuar me jashtëqitjet e miut.
Nuk transmetohet nga personi në person, tha Dr Jarrell./K.C/dritare.net

















