Na ndiqni edhe në

Ngjarjet e Ditës

Kumbaro prezanton e-Visitor, platformën e të dhënave në turizëm dhe përgatitjet për sezonin veror 2025

Kumbaro prezanton e-Visitor, platformën e të dhënave në
Nga Durrësi, në një takim që i parparin sezonit turistik 2025 me pjesëmarrjen e kryeministrit Edi Rama, ministrja e Turizmit dhe Mjedisit, Mirela Kumbaro prezantoi eVisitor, platformën që po modelohet për të siguruar të dhëna në kohë reale mbi “trafikun” e turistëve të akomoduar, kapacitetet akomoduese, netqëndrimet, origjinën e turistëve, tipologjinë gjeografike të shpërndarjes në territor etj.

Gjatë fjalës së saj, ministrja Kumbaro u shpreh se rritja e numrit të vizitorëve të huaj është reflektuar edhe në të ardhurat e arkëtuara nga turizmi, por duhet tejkaluar informaliteti nga ana e strukturave akomoduese mbi okupancën e shtretërve dhe kapacitetet që deklarojnë.
Kumbaro u shpreh se kjo metodologji e mbledhjes dhe përpunimit të të dhënave, një bashkëpunim i Ministrisë së Turizmit me Fondin Shqiptar të Zhvillimit dhe Bankën Botërore, mbështetet në tre shtylla kryesore:
“Shtylla e parë është regjistri qendror i turizmit që garanton pajtueshmëri rregullatore si dhe standarde e kategorizime të qarta. Gjithashtu, ky regjistër thjeshtëzon shërbimet, siguron digjitalizim të përmirësuar dhe optimizim të regjimit të TVSH për turizmin.
Shtylla e dytë është platforma e-Visitor që siguron mbledhje të dhënash në kohë reale, e për pasojë optimizimin e të ardhurave fiskale (Taksa e fjetjes). Përmes kësaj platforme, sigurohet formalizim i aktivitetit të sektorit, siguri e shtuar dhe mund të studiohen trendet e sjelljes turistike.
Shtylla e tretë është sistemi i të dhënave të turizmit që mundëson analizën gjithëpërfshirëse të sektorit, ndihmon në hartimin e politikave zhvillimore të bazuara në të dhëna si dhe siguron vlerësim real të impaktit ekonomik të turizmit. Ky sistem të dhënash është gjithashtu kyç për përmirësimin e marketingut dhe promocionit bazuar në modelet e parashikueshmërie të Tourism Satellite Account – sipas UN Tourism”, u shpreh ministrja Kumbaro duke shtuar se një sistem i tillë është një ndër rekomandimet që derivon nga Strategjia Kombëtare e Turizmit 2024-2030.

Më tej, Kumbaro foli edhe për punën e masat e marra për mbarvajtjen e sezonit veror 2025: “Ka përfunduar procesi i miratimeve paraprake për stacionet e plazhit dhe të gjitha informacionet janë depozituar pranë subjekteve dhe Bashkive përkatëse. Nga Velipoja deri në Ksamil përgjatë gjithë bregut, përfshirë liqenin e Pogradecit janë 1014 parcela publike dhe 600 subjekte që menaxhojnë përkohësisht parcelat e plazheve” u shpreh ministrja Kumbaro./K.C/dritare.net