
Kthim në shtëpi, në kohën e koronavirusit!
Dritare.net
Nga Fjorda Llukmani
Më quajtën budallaqe apo njeri të pakujdesshëm kur u thashë miqve të mi që do të kthehem në Tiranë këto ditët e shpërthimit të virusit. Në Austri shënoheshin rreth 2000 raste dhe qeveria filloi të merrte masa të rrepta. Ndërkohë unë fillova të qëndroja në shtëpi paralel me Shqipërinë, megjithëse shikoja që në Vjenë s’po e merrnin seriozisht. Kuptova që situata do të zgjaste, e duke qenë pa punë vendosa të karantinohem në shtëpinë time të vërtetë.
“Do të mbyllen kufijtë ose do ta marrësh virusin rrugës në aeroport. Rri aty se je mirë!”- më thoshte shumica e njerëzve. Pa le kur më tregojnë se më e sigurt jam në Austri, pasi mjekësia shqiptare lë për të dëshiruar. Më falni mos më dini gjë vjeneze që jam lindur e rritur këtu? Gjithë jetën në Shqipëri jam mjekuar ashtu si populli im. Mjafton që do të tregoj kujdes maksimal, të tjerat s’i kemi në dorë vetë. E janë pikërisht këta njerëz që përfundojnë duke iu përgjëruar mjekëve shqiptarë për shpresë në raste të këqija, ama i hedhin poshtë me vrap të madh po t’u jepet mundësia.
Familjarët nuk i lajmërova që do të vij, përveç mamit. Vetëm shqiptarët bashkëvuajtës emigrantë si unë ma kuptonin hallin. Austria Airlines i anuloi fluturimet, e ndërkohë asnjë shtetas austriak nuk lejohej të kalonte kufirin. Duke patur pasaportë shqiptare nuk bëja pjesë në grupin e atyre që u ndalohej lëvizja. Wizz Air duke qenë kompani futurimi nga Hungaria vazhdonte normalisht fluturimet.
Në farmaci nuk kishte maska apo doreza plastike, prandaj u improvizova me disa veshje të miat. Mora dorashkat më të trasha të dimrit dhe një shall llastiku që përdoret për motoristët. Stacionet e trenit dhe metrotë në Vjenë ishin bosh. Mirë këto, por as në aeroport s’kishte lëvizje.
Ndonjë të rrallë tek-tuk, ku futej dhe fluturimi për Shqipëri. Ngado hidhja sytë shihja vetëm shqiptarë. Ndryshe nga herët e tjera i vetmi lajmërim që jepej me zë thoshte: “Pasagjerë ju lutem respektoni distancat e sigurisë prej minimum 1 metër largësi.” Tek kontrolli i pasaportave gjendesha e vetmja në radhë. Duty free, kafenetë, dyqanet e çdo gjë tjetër ishte e mbyllur. Ky aeroport nuk kishte qenë kurrë kaq bosh.
Punonjësit mbanin mjetet mbrojtëse, kryesisht doreza. Kuptova që dorezat janë më të vlefshme se maskat pas një video të BBC përkthyer nga dritare.net. Bëra të pamundurën mos të prekja gjë me dorë. Shkoja në banjë herë pas herë për të larë duart.
Avioni po ashtu dukej i dezinfektuar, pasi shkëlqenin xhamat. Mund të ishim rreth 50 veta dhe kjo na dha mundësinë të uleshim larg njëri-tjetrit. Stjuardesat na ofruan dy letra të lagura me 70% alkool për të larë duart para dhe pas fluturimit. Ndërkohë unë kisha një shishe të vogël rakie me vete dhe pambuk që dezinfektohesha herë pas here. Shpresoja gjatë gjithë rrugës që mos të merrja ndonjë virus me vete, prandaj bëra të pamundurën për të qenë e kujdesshme.
Në aeroportin e Tiranës ky fluturim ishte i vetmi që zbriste. Dy mjeke apo infermiere na matën temperaturën pa shkuar te pasaportat.
Njerëzit përpiqeshin të mbanin distancat sa më shumë të ishte e mundur. Dëgjoja prindër që u flisnin fëmijëve, të cilët dukeshin të ndërgjegjësuar për situatën. Tek policia kufitare më pyetën nëse kisha udhëtuar në vende të tjera përveç Vjenës. U përgjigja “Jo” duke u thënë të vërtetën. Valixhet dolën shpejt sepse normalisht nuk kishte radhë. Ndalova të thyeja disa lek dhe vë re që vajza që punonte për një bankë, s’kishte mbrojtjet e duhura. Pasi mezi u përgjigj dy pyetjeve që kisha si kliente, në fund i them: “Nesër thuaji shefit të të vendosë doreza se të duhen më shumë se maska.”
Por në përgjithësi punonjësve u ishin dhënë mjetet e duhura, sidomos atyre të policisë së shtetit. Që të lëvizje me makinë për Tiranë duhet të regjistroje makinën me biletën përkatëse. Po ashtu taksitë kërkonin fotokopje të pasaportës dhe biletën. Më pas ata ia dërgonin policisë të dhënat që të merrnin lejen. Tek prisja shokun tim që të më merrte u ula jashtë duke shijuar diellin. Nxora rakinë e pambukun e fillova të pastroja çdo gjë, nga valixhja, duart, telefonin, syzet, madje dhe çantën e shishen plastike. Disa persona përballë meje filluan duke qeshur e më thanë: “Boll u lave se deri këtu erdhi era e rakisë.”
Ndjesi më të rehatshme se kur kthehesh në shtëpi gjatë momenteve të vështira nuk ka. Nuk iu afrova askujt, por u drejtova direkt në tualet për të bërë një dush. Po ashtu rrobat i futa për t’i larë në lavatriçe nga meraku. Aq shumë I kam larë duart këto ditë sa më janë ashpërsuar fare. Problemin më të madh e kam të mbaj duart larg fytyrës se e kam zakon që fërkoj sytë apo haj thonjtë. Ama tani jam bërë me fiksime. Sapo ngre dorën një zë më thërret: “Kujdes se virusi futet në trup nëpërmjet prekjeve të fytyrës.” Më mirë të bëhem me fiksime se sa të jem e pakujdesshme.
Këto ditë “pushim” po na mësojnë çfarë ka rëndësi më shumë në jetë. Ngjarje të tilla janë shpulla që na hidhen në fytyrë për t’i thërritur mendjes. Kujt ia priste mendja që një ditë do të shpëtonim botën duke qëndruar në shtëpi? Nesër pasnesër do t’u mburrem fëmijëve se mami juaj ishte heroinë. As e kam problem fare të rri brenda, mjafton të jemi mirë me shëndet. Jam e sigurt që shumë më mirë do të bëhet po zbatuam rregullat, se më keq se kaq s’ka ku shkon…/dritare.net

















