Kadastra e Vlorës shpërngulet në Tiranë, punonjësit dhe qytetarët kundër vendimit
Dritare.net

Kadastra e Vlorës do të shpërngulet nga qyteti bregdetar dhe do të transferohet në selinë qendrore të Agjencisë Shtetërore të Kadastrës në Tiranë, pranë rrugës “Jordan Misja”. Vendimi është firmosur më 23 janar nga drejtoresha e përgjithshme e ASHK-së, Lorena Goxhobelli, dhe parashikon që zhvendosja të përfundojë deri në fund të këtij muaji.
Procesi i transferimit ka nisur që vitin e kaluar, ku drejtori Albion Koçi dhe 25 punonjës janë zhvendosur tashmë në Tiranë. Aktualisht, në Vlorë kanë mbetur rreth 55 punonjës, të cilët do të duhet të transferohen në kryeqytet.
Vendimi vjen më pak se një vit pasi Kadastra e Vlorës ishte zhvendosur në një godinë të re në qytet, pranë ish-Shtëpisë së Oficerëve. Drejtori i fundit i institucionit, Genc Deromemaj, dha dorëheqjen në nëntor 2025, vetëm katër muaj pas marrjes së detyrës.
Punonjësit e Kadastrës së Vlorës e kanë kundërshtuar vendimin përmes një peticioni drejtuar drejtuesve të ASHK-së dhe kryeministrit Edi Rama, duke e cilësuar atë të pakonsultuar dhe në kundërshtim me kontratat e punës. Ata theksojnë se transferimi tejkalon kufirin ligjor prej 45 kilometrash, pasi distanca Vlorë–Tiranë është rreth 155 kilometra.
Reagime ka edhe nga qytetarët, veçanërisht të moshuarit dhe personat me probleme shëndetësore, të cilët e konsiderojnë të pamundur udhëtimin drejt Tiranës për shërbime kadastrale. Disa prej tyre deklarojnë se kanë shpenzuar shuma të konsiderueshme për aplikime pa marrë zgjidhje.
Përballë situatës, qytetarët dhe punonjësit paralajmërojnë përshkallëzim të protestave dhe bllokim të rrugëve kryesore të Vlorës nëse vendimi nuk shfuqizohet./L.F-dritare.net