Censusi 2026/ Nga pelikani te çafka, nis monitorimi i shpendëve në zonat e mbrojtura të Shkodrës!
Dritare.net

Në kuadër të Censusit 2026, ka nisur zyrtarisht procesi i monitorimit dhe numërimit të shpendëve ujorë në Liqenin e Shkodrës dhe Lumin Buna, dy nga zonat më të rëndësishme të biodiversitetit në vend. Aktiviteti zhvillohet në bashkëpunim me Administratën e Zonave të Mbrojtura në Shkodër dhe organizatën “Well Point”, drejtuar nga biologia Aurora Piroviq.
Piroviq postoi në Facebook disa foto nga monitorimi i shpendëve mbi Liqenin e Shkodrës dhe Lumin e Bunës.
Gjatë vëzhgimeve janë evidentuar disa specie shpendësh ujorë, përfshirë pelikane, çafka dhe shpendë të tjerë tipikë të ekosistemit të liqenit, duke konfirmuar rëndësinë e kësaj zone si habitat natyror dhe stacion pushimi për shpendët shtegtarë.
Ky proces synon mbledhjen e të dhënave të sakta mbi popullatat e shpendëve, të cilat do të shërbejnë për hartimin e politikave të mbrojtjes së natyrës dhe menaxhimin e qëndrueshëm të zonave të mbrojtura./K.C/dritare.net