Na ndiqni edhe në

Ngjarjet e Ditës

Kryetari i Gjykatës së Lartë, Sokol Sadushi: Drejtësia që vonon rrezikon të kthehet në padrejtësi

Kryetari i Gjykatës së Lartë, Sokol Sadushi: Drejtësia

Në Gjykatën e Lartë u zhvillua ceremonia e hapjes së vitit të ri gjyqësor, ku Kryetari Sokol Sadushi mbajti fjalën hapëse, duke theksuar rëndësinë e pavarësisë dhe përgjegjësisë së sistemit të drejtësisë. Ai deklaroi se drejtësia duhet të jetë e pavarur në vendimmarrje, e përgjegjshme në standarde dhe e denjë në raport me qytetarin, duke nënvizuar se kjo është garancia që qytetari të ketë një gjykim të paanshëm dhe të drejtë.

"Në këtë frymë, i drejtohemi njëkohësisht qytetarëve, profesionistëve të ligjit dhe institucioneve të Republikës, jo për të komentuar çështje konkrete, por për të riafirmuar parimet që duhet të udhëheqin drejtësinë. Që në fillim duhet ta themi qartë. Ky është një angazhim publik, i thjeshtë në formulim, por thelbësor në përmbajtje. Drejtësia duhet të jetë e pavarur në vendimmarrje, e përgjegjshme në standarde dhe e denjë në raport me qytetarin", tha Sadushi.

Sadushi theksoi se përgjegjësia është shtylla tjetër e drejtësisë dhe kërkoi mbështetje nga pushteti legjislativ dhe ekzekutiv për investime që forcojnë sistemin gjyqësor. Ai vuri në dukje se drejtësia duhet të ketë qartësi dhe cilësi në arsyetim, koha e vendimeve duhet të jetë e arsyeshme dhe zgjidhjet gjyqësore të jenë të koherente dhe të parashikueshme, në mënyrë që qytetari të ketë besim te ligji dhe të mos ndjejë padrejtësi për shkak të vonesave apo vendimeve të ndryshme për raste të ngjashme.

"Drejtësia është një përpjekje njerëzore e vazhdueshme për disiplinë, profesionalizëm, vetëpërmbajtje dhe qëndrueshmëri. Kur flasim për pavarësinë, duhet ta kuptojmë drejt se ajo nuk është privilegj, por garancia që qytetari të ketë një gjykim të paanshëm dhe të drejtë, i mbrojtur nga presionet dhe ndikimet. Pavarësia kërkon integritet, kurajo, profesionalizëm dhe etikë, që e bëjnë gjyqtarin të lirë në vendimmarrje dhe të fortë në arsyetim. Megjithatë, pavarësia kërkon edhe kapacitet institucional. Drejtësia duhet të jetë e arritshme për qytetarin, brenda një kohe të arsyeshme dhe me dinjitet. Kur sistemi mbingarkohet dhe qytetari nuk arrin dot në kohë te drejtësia, pavarësia zbehet në efektin e saj më thelbësor, mbrojtjen reale të të drejtave. Prandaj drejtësia matet jo vetëm me cilësinë e vendimit përfundimtar, por edhe me rrugën për ta arritur atë. Drejtësia e pavarur nuk vendos për të kënaqur askënd. Ajo vendos për të respektuar ligjin dhe për t’u dhënë kuptim të drejtave. Nëse pavarësia është kushti që drejtësia të jetë e paanshme, përgjegjësia është kushti që ajo të jetë e besueshme. Pavarësia pa përgjegjësi rrezikon të perceptohet nga qytetari si distancë nga nevojat e tij ose si mungesë llogaridhënieje. Përgjegjësia nuk është ndërhyrje në vendimmarrje."

Sadushi renditi tri objektiva kryesore: qartësia dhe cilësia e arsyetimit, koha e arsyeshme dhe koherenca e parashikueshmëria.

"Së pari, qartësia dhe cilësia e arsyetimit: kur arsyetimi është i qartë, qytetari e kupton drejtësinë edhe kur nuk është dakord me të. Kur është i paqartë, atëherë humbet jo vetëm çështja, por edhe besimi. Prandaj, standardi ynë nuk duhet të jetë vetëm “të vendosim”, por “të shpjegojmë pse vendosim në atë mënyrë”.

Së dyti, koha e arsyeshme: drejtësia që vonon rrezikon të kthehet në padrejtësi. Sistemi gjyqësor përballet me një ngarkesë të lartë dhe me një stok çështjesh të prapambetura. Kjo sjell vonesa, që nuk janë vetëm çështje statistike. Janë qytetarë që presin, çështje që zvarriten dhe marrëdhënie juridike që mbeten pezull. Prandaj kërkohet menaxhim, disiplinë dhe përparësi të qarta.

Së treti, koherenca dhe parashikueshmëria. Një nga pritshmëritë më të forta të qytetarëve dhe të komunitetit juridik është që ligji të jetë i parashikueshëm. Ligji nuk kufizohet vetëm në normat e së drejtës. Ai merr kuptim edhe nëpërmjet interpretimit gjyqësor. Kur për raste të ngjashme jepen zgjidhje të ndryshme, krijohet pasiguri dhe cenohet besimi. Prandaj publikimi sistematik i praktikës gjyqësore, databazat e përdorshme dhe roli njësues i Gjykatës së Lartë nuk janë thjesht çështje profesionale. Ato janë çështje të sigurisë juridike dhe të besimit në drejtësi.

Mbështetja ndaj gjyqësorit është detyrim kushtetues, jo zgjedhje, as trajtim i privilegjuar. Për ta bërë këtë mbështetje reale, nevojiten financim i mjaftueshëm, politika të qëndrueshme për burimet njerëzore, programe infrastrukture dhe investime serioze në digjitalizim e siguri. Një shtet që kërkon drejtësi të fortë duhet të investojë në institucione të forta; përndryshe pavarësia mbetet vetëm një normë e shkruar, pa u bërë një garanci reale. Në të njëjtën kohë, drejtësia ka nevojë edhe për mbështetjen tuaj qytetare: respekt për institucionet, refuzim të çdo forme intimidimi apo ndikimi të paligjshëm dhe besim te procedura ligjore, jo te presioni, ndërhyrjet apo rrugët anësore. Drejtësia funksionon kur ligji respektohet nga të gjithë", tha Sadushi.", tha Sadushi./K.C/dritare.net