Djali i Sokol Olldashit-Berishës: Ata që flasin në foltoren e PD-së janë të pirë!
Dritare.net

Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, zhvilloi këtë të premte një tjetër Foltore me të rinjtë e FRPD, ku një nga folësit ishte Glauk Olldashi, djali i Sokol Olldashit. Ai kritikoi mënyrën se si po zhvillohen këto foltore, duke theksuar se disa nga folësit janë të papërshtatshëm dhe shpesh të dehur, gjë që sipas tij po dëmton imazhin e PD-së.
“PD ka shumë probleme sot. E mirë do të ishte një takim pa kamera dhe media, sepse problemet e shtëpisë fliten brenda saj dhe jo në sytë e botës. Por po prek një problem shumë evident dhe jap një sugjerim timin”, tha Olldashi.
Ai vuri në dukje se pjesëmarrja në Foltoret e PD-së, të mbajtura zakonisht të hënave para Kryeministrisë, është e ulët dhe se folësit aktualë nuk e përfaqësojnë me dinjitet partinë. “Shumë nga folësit aty nuk janë të denjë, flasin kuturu, disa edhe të dehur. Kjo dëmton veçanërisht ne të rinjtë dhe imazhin e PD-së”, shtoi ai.
Për të zgjidhur këtë problem, Olldashi sugjeroi që çdo të hënë të mbahet një Foltore tematikisht e specializuar, me ekspertë të fushave të ndryshme: arsimi, mjekësia, bujqësia, sektori naftëtar. “Na duhen ekspertë që kur njerëzit të na ndjekin të hënën të na dëgjojnë me vëmendje dhe të mos shohin fytyra që na bëjnë të qeshim”, përfundoi ai./K.C/dritare.net