Gazetarja: Mafia shqiptare, aq e fuqishme sa organizon vrasjet e prokurorëve italianë
Dritare.net

Në një intervistë në emisionin Dekalog nga Roland Qafoku në DritareTV, gazetarja Alba Kepi foli mbi mafien shqiptare dhe rolin e saj brenda dhe jashtë Shqipërisë. Alba theksoi se, ndryshe nga perceptimi i zakonshëm, Shqipëria nuk ka mafie me strukturë piramidale, por organizata të strukturuara horizontalisht, të ngjashme me mafien kalabreze Ndrangeta.
Alba theksoi veçoritë e mafies shqiptare:
“Mafia shqiptare nuk ka emër dhe nuk ka struktura piramidale si Kozanostra. Është e strukturuar horizontalisht, me kapo-grupe që kanë organizim në linjë horizontale. Është mjaft e ngjashme me Ndrangetën dhe ka aleanca me mafien kalabreze. Janë të fuqishëm në mënyrën më të frikshme.”
Ajo gjithashtu bëri të qartë se organizatat shqiptare nuk operojnë vetëm brenda vendit, por edhe jashtë tij:
“Organizatat shqiptare kanë bazat e tyre, grupet e tyre në Shqipëri dhe bazat e tyre, grupet e tyre në Evropë dhe deri në Amerikën Latine. Duhet një studim i mirëfilltë për t’u kuptuar.”
Në lidhje me fuqinë e mafies shqiptare në Itali:
“Janë aq të fortë sa në shumë përgjime ka dalë që ato ishin organizuar dhe të vrisnin prokurorë të antimafies. Kohët e fundit, mafia kalabreze po mundohet të mos merret më me transportin e drogës, po t’ia lënë gjithçka shqiptarëve dhe të merret vetëm me riciklimin e parave.”
Një aspekt i rëndësishëm i diskutimit ishte ndikimi i mafies shqiptare në politikë dhe ekonomi:
“Fuqizimi ekonomik i tyre çon në fuqizimin e korrupsionit. Aktualisht mafia shqiptare ka zotërime në politikën shqiptare, në qeveri dhe në opozitë. Në opozitë mund të ketë persona që kanë influencën e tyre, por duhet të interesohemi tek ata që po menaxhojnë shtetin shqiptar.”
Alba përfundoi duke theksuar nevojën për ndërgjegjësim dhe studim të thellë:
“Nëse ne duhet të themi ‘mafia shqiptare’, e bëjmë vetëm një shërbim të mirë Shqipërisë, për të kuptuar rrezikshmërinë e tyre dhe për të sensibilizuar opinionin publik dhe organet e drejtësisë për të hetuar në këtë këndvështrim.”/K.C/dritare.net