Na ndiqni edhe në

Ngjarjet e Ditës

Netanyahu: Rama, mik i madh i popullit hebre dhe i imi, përfaqëson shpirtin e Shqipërisë

Netanyahu: Rama, mik i madh i popullit hebre dhe i imi, përfaqëson

Në konferencën e përbashkët për shtyp gjatë vizitës së kryeministrit Rama në Izrael, homologu i tij, Benjamin Netanyahu e falënderoi Shqipërinë për mbështetjen ndaj popullit hebre gjatë Holokaustit. Ai u ndal në dy pika të rëndësishme gjatë fjalimit: rritja e numrit të turistëve izraelitë në Shqipëri dhe çelja e Dhomës së Tregtisë në Jerusalem që do të forcojë raportin mes dy vendeve.

“Kryeministri Rama është një mik i madh i popullit hebre, një mik i madh i shtetit hebre, mund të them po kështu edhe një mik i madh i imi. Ai përfaqëson shpirtin e vërtetë të Shqipërisë. Ndoshta bota nuk e di dhe duhet ta dijë që Shqipëria ishte i vetmi vend europian që gjatë Holokaustit pati një popullsi hebreje brenda Shqipërisë që u rrit e nuk u mpak. Myslimanët shqiptarë mbrojtën mijëra hebrenj dhe i mikpritën. Njerëzit duhet të njohin rolin moral që Shqipëria luajti gjatë orëve më të errëta. Ju qëndroni krah së vërtetës, ju qëndruat krah Izraelit, busulla juaj morale nuk u lëkund dhe kjo është diçka që ne e vlerësojmë thellësisht dhe që ju shenjon si një udhëheqës të jashtëzakonshëm të popullit tuaj dhe mendoj për ato segmente njerëzimi që duan që e vërteta të mbrohet dhe të mbrohen vlerat morale që ne ndajmë. Numri i turistëve izraelitë që kanë shkuar në Shqipëri është rritur me 800% dhe së shpejti do të bëhen shumë më tepër. Kemi kompani investuese izraelite që e dinë se ka një mundësi të madhe në Shqipëri dhe gjëra që mund të zhvillohen bashkë me shqiptarët. Kjo do të çohet edhe më tej me çeljen e Dhomës së Tregtisë nesër dhe është diçka që do të çojë përpara lidhjet ekonomike. Kemi një mirëkuptim që shkon përtej interesave, por në ndjesën më të thellë të simpatisë njerëzore, ka një themel empatie dhe një bazë vëllazërie”, tha Netanyahu./K.C/dritare.net