Gazetarja Alba Kepi: Ja amaneti i fundit që më la babai, Bedri Alimehmeti!
Dritare.net

Në një intervistë të veçantë në emisionin Dekalog nga Roland Qafoku në DritareTV, gazetarja Alba Kepi ka ndarë një rrëfim të thellë dhe emocional mbi historinë e familjes së saj, rrënjët tiranase dhe ndikimin që e kaluara ka pasur në jetën e saj. Gjatë bisedës u përmend edhe figura e të atit, Bedri Alimehmeti, një emër i njohur i gazetarisë shqiptare, autor i disa botimeve, mes tyre edhe libri “Tirana e përgjakur”.
Gazetarja u ndal te vuajtjet e familjes së saj gjatë komunizmit dhe te historia e të atit.
“Babi im, që në moshën gjashtë vjeç, i arrestohet gjyshi, një ekspert i njohur i tekstileve. Familja Alimehmeti merrej me tregtimin e pëlhurave të mira nga Italia dhe Lindja. Babi kujtonte se çdo ditë prisnin gjyshin në dyqan, por në moshën gjashtë vjeç, ai nuk u kthye më. Atë e morën përballë rrugës ku shtëpitë tona ndodheshin…”
Gazetarja tregoi se i ati ka lënë pas edhe dorëshkrime e libra të pabotuar.
“Bedriu ka lënë shumë libra të pabotuar. ‘Tirana e përgjakur’ është shumë e kërkuar. Libri lidhet me historikun e Tiranës dhe është ribotuar disa herë. Ai ka pasur amanet t’i botoja deri në fund.”
Ndërsa për nënën, Alba tha:
“Nëna ime quhet Semiha Ymeri. Me babanë kanë një histori dashurie të fuqishme. Mami ishte shumë e bukur dhe babi ra marrëzisht në dashuri me të, edhe pse ajo nuk ishte nga qyteti i Tiranës. Dashuria e fortë bëri që të mos dëgjonin familjet.”
Alba foli edhe për familjen që ka ndërtuar vetë.
“Bashkëshorti im, Iliri, ishte i pari i familjes që shkoi në Itali, i diplomuar në gjuhë italiane dhe letërsi. Ai punoi si mësues dhe më pas profesor në gjimnazet ‘Qemal Stafa’ dhe ‘Partizani’, dhe pranë Institutit të Kulturës Italiane. Ai më ka mbështetur gjithmonë. Fëmijët tanë: Xhoele, i madhi, i diplomuar në ekonomi dhe shkenca sociale në Romë; Valerio, i vogli, futbollist në Serie D dhe mesfushor.", tregoi Alba Kepi në DritareTv./K.C/dritare.net