
Italia i jep lamtumirën Pippo Baudos, prezantuesi italian përcillet për në banesën e fundit!
Dritare.net
Në kishën Santa Maria della Stella në Napoli, u zhvillua këtë të mërkurë, funerali i Pippo Baudos, një prej figurave më të mëdha të televizionit italian, i cili ndërroi jetë më 16 gusht në moshën 89-vjeçare.
Ceremonia u drejtua nga Ipeshkvi i Dioqezës së Caltagirone, Imzot Calogero Peri.
Në kishë ishin të pranishëm familjarë, miq, politikanë dhe personazhe të njohur të botës së artit dhe kulturës, mes tyre edhe presidenti i Senatit italian, Ignazio La Russa, ministri Adolfo Urso dhe këngëtari Al Bano. Të gjithë ishin mbledhur për t’i dhënë lamtumirën e fundit prezantuesit legjendar.
Në homazhet e mbajtura për të, Ati Giuseppe Albanese e përshkroi Baudon si “një pjesë e historisë së Italisë pas Luftës së Dytë Botërore”, duke theksuar se ai “ka hyrë gjithmonë me gëzim në shtëpitë e italianëve”.
Ai kujtoi ditët e fundit të jetës së Baudos, duke thënë se kishte qënë në ndikimin e morfinës.
“Javët e fundit ishin një kohë vuajtjesh të mëdha për Pippo Baudon. Ai ishte nën ndikimin e morfinës, por i kthjellët. Me vdekjen e Pippo Baudo-s, një libër është mbyllur, pothuajse një shekull historie. Por nuk është vetëm historia e RAI-t, është historia e Italisë, e vendit të bukur, dhe sot, kur e shohim atë arkivol, duhet të kujtojmë se, po, ai libër është mbyllur, por përmban shumë kujtime që duhet t’i ruajmë dhe, e përsëris, ato janë njohuri që nuk janë vetëm kulturore, por mbi të gjitha shpirtërore”, shtoi Albanese, citon “Corriere Della Sera”.
Kryebashkiaku i Militellos, Giovanni Burtone, e përshkroi Baudon si “Enrico Mattei i Rai-t”, duke theksuar rolin e tij si një ambasador i jugut të Italisë dhe si një personalitet i lartë.
Ai përmendi lidhjen e ngushtë të Baudos me vendlindjen e tij, Sicilinë, dhe vlerësoi vlerat e tij njerëzore, si drejtësia, e vërteta dhe kurajoja kundër mafias.
Giovanni Burtone: “Pippo u përpoq të përcillte mesazhin e një Jugu që nuk duhet të turpërohet, por që duhet të luftojë. Një sicilian pa kapelë në dorë, por i vetëdijshëm për rolin kryesor që mund të kishte toka jonë, me shpinë drejt dhe kokë lart. Ai ishte Enrico Mattei i Rai-t sepse arriti të kontribuojë me përkushtimin dhe aftësinë e tij kulturore duke nisur nga Jugu, por pa ekzagjerim. Do t’u mungojë familjarëve, miqve, Militellos dhe gjithë Italisë”.
Ceremonia u shoqërua me duartrokitje brenda dhe jashtë kishës, ku një numër i madh njerëzish ndiqnin përmes ekranit të madh.
Pippo Baudo la pas një karrierë të gjatë dhe të suksesshme, duke qenë prezantuesi me më shumë edicione të Festivalit të Sanremos dhe duke zbuluar shumë talente të rinj. Ai ka qenë një figurë kyçe në televizionin italian për më shumë se 60 vjet, duke u bërë një simbol i përjetshëm i kulturës dhe argëtimit italian.

















